Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) është në pritje të përfundimit të procedurave ligjore pasi Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) vendosi për anulimin e vendimit për mos certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka urdhëruar sot Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhjet parlamentare.
"Anulohet njoftimi i KQZ-së i datës 23.12.2024 dhe urdhërohet KQZ-ja që ta certifikojë subjektin politik Lista Serbe dhe kandidatët e këtij subjekti politik, sipas rekomandimit të Zyrës për Regjistrim, Certifikimin dhe Kontrollin Financiar të subjekteve politike në KQZ të datës 22.12.2024, për zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës që do të mbahen më 9 shkurt 2025", thuhet në vendim.
Pas këtij vendimi, nga KQZ-ja për KosovaPress thonë se para caktimit të kësaj çështjeje në rendin e ditës, ata do të presin përfundimin e procedurave ligjore.
“Në vendimin e PZAP-it ka këshillë juridike, sipas së cilës lejohet ankesa kundër në Gjykatën Supreme, brenda 48 orëve nga momenti i marrjes së tij. Andaj, KQZ, para caktimit të kësaj çështje për në rend dite, do të presë përfundimin e procedurave ligjore”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi.
Lista Serbe e cila gëzon mbështetjen e Beogradit, nuk u certifikua nga KQZ-ja për shkak të qëndrimeve të shprehura nga kryetari i saj Zlatan Elek ndaj shtetit të Kosovës, të cilat ai i bëri në një paraqitje të kandidatëve të saj për deputetë.