Dy fëmijët nga lagja “Kolonia” që vdiqën në QKUK kishin të njëjtin infeksion

Aktuale

Dy fëmijët nga lagja “Kolonia” që vdiqën në QKUK kishin të njëjtin infeksion

Më: 25 dhjetor 2024 Në ora: 19:42
Ilustrim

Vdekja e djalit një vjeçar të familjes Gashi të shtunën në Gjakovë është rasti i dytë me fatalitet me të njëjtën diagnozë brenda lagjes së njohur si “Kolonia”.

Në shkurt të këtij viti, vajzën katër vjeçare nga infeksioni “sepsa meningokoksike”, siç thoshte raporti i Institutit Mjekësor, e humbi edhe familja Shala e cila jeton një lagje më poshtë.

E e njëjta diagnozë u dha edhe për fëmijën Gashi, familja e së cilës thotë se këtë e kuptoi vetëm nga raportimet e mediave.

“S’na marrin parasysh se jemi komunitet. Kurgjo nuk na kanë thënë. Na thanë të vijmë pas pesë ditësh t’i marrim letrat e autopsisë e këta pa të qysh e qesin se ç’ka ka pas”, ka thënë Sar Gashi, gjyshi i të ndjerit.

Fëmijën e kishin dërguar në Spitalin e Gjakovës pasi kishte filluar të kishte reaksione alergjie nga shurupi që i ishte rekomanduar.

Por, familja thotë se nga barnatorja ishte paralajmëruar se receta mund të ishte e gabuar, por megjithatë, sipas familjes, këtë ua kishte mohuar doktori.

Ai pretendon se rasti i djalit u neglizhua nga spitali i Gjakovës e njëheri, edhe nga QKUK-ja.

Drejtori i spitalit, Hilmi Shala ka qenë i paqasshëm për të dhënë qëndrimin e tij, kurse QKUK-ja nuk ka kthyer akoma përgjigje në pyetjet e televizionit.

Gjersa mohon se fëmija pati infeksion, nëna e të ndjerit thotë se kontrollet i kishe të vazhdueshme dhe se nuk kishin kontakt me familjen e katër vjeçares.

“E kemi marrë vesh nga lajmet. Qysh e kanë ditë pa i ba analizë, as këtu në Gjakovë. Në Prishtinë as nuk e kanë prek me dorë. Unë nuk ua fali. Pasurinë e krejt botës me ma jap”, ka theksuar Shakira Mustafa, nëna e një-vjeçarit.

Televizioni ka provuar të bie në kontakt edhe me familjen e 4-vjeçares, por ata nuk i gjeti në shtëpi të mërkurën.

Megjithatë në serinë e raportimeve që kishte bërë televizioni për këtë rast, të njëjtit thonin se e ndjera nuk kishte infeksion, por rasti sipas tyre, ishte neglizhuar nga institucionet shëndetësore.

Rreth mundësisë që të bëhet fjalë për ndonjë shpërndarje infeksionesh, infektologët thonë se higjiena nuk faktori kyç.

“Shkaktari i sepses meningokoksike, Neisseria meningitidis, përcillet vetem nga njeriu ne njeri. Mund të jetë bartës të shëndoshë të këtij bakteri, në grykën e këtyre personave, pa shkaktuar sëmundje tek bartësit ndërsa tek të tjerët mund të shkaktojë sëmundje nga më të lehtat e deri tek forma më e rëndë, sepsa meningokoksike. Ajo ka zhvillim tmerrësisht të shpejtë, nga ankesat e para e deri tek vdekja, nuk kalojnë më shumë se 12-24h. Gjatë dimrit dhe muajve të ftoftë, kur njerëzit rrijnë më shumë brenda dhe kontakti i tyre është shumë i madh, edhe mundësia e infeksionit është shumë më e lartë. Pra, në muajt e ftoftë, familjet me shumë anëtarë, veçanërisht me shumë fëmijë, janë më të rrezikuara nga ky infeksion. Higjiena nuk lidhet drejtpërdrejt me rrezikun e shtuar. Ajo është rezultat i standardit të ulët, rrjedhimisht familje me shumë fëmijë, nivel më të ulët arsimimi që për pasojë ka mundësinë më të madhe për infeksion dhe vështirësi për t’i vërejtur shenjat e sëmundjes me kohë”, ka theksuar Ilir Tolaj, infektolog

Një ditë më parë, televizioni ka pyetur edhe Drejtorinë e Shëndetësisë në Gjakovë nëse e njëjta ka kryer ndonjë kontroll në këtë pjesë të qytetit.

E njëjta thotë se kontrollet në këtë lagje janë të rregullta, si dhe vizitat në shkollë por që këtë e kanë mohuar banorët e “Kolonisë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat