Hysni Gucati nga organizata e veteranëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka folur për periudhën e vuajtjes së dënimit në Hagë pasi ai ishte akuzuar për publikim të materialeve që kishin rrjedhur nga Gjykata Speciale.
Gucati ka thënë se përveç tij dhe Nasim Haradinajt që ishin mbajtur në Hagë, ai ka thënë se të gjithë ish pjesëtarët e UÇK-së, po mbahen padrejtësisht.
“Është e vërtetë që jo vetëm unë e Nasimi që jemi mbajt padrejtësisht atje, po atje mbahen të gjithë padrejtësisht, të gjithë. Kur them të gjithë edhe Haxhi Shala edhe këta të fundit që i morën Hisni Kilën e Fadilin, të gjithë”.
“Padrejtësia më e madhe është kur të vdes anëtari i familjes e nuk mundesh me ardh me varrosë, kjo është padrejtësia më e madhe… Unë isha i dënum, 18 ditë pasi mora dënimin mua më vdiq baba edhe nuk më lejuan që të vi e ta varrosi babën, por më lejuan mas tri dite me shku te varri. Kështu njëjtë e ka përjetuar edhe Kadria nja gjashtë muaj para meje. Kadris i pat vdekë edhe baba edhe nëna, edhe atë e prunë pasi i kanë varrosë prindërit. Arsyen kurrë s’na e kanë jep. Ajo padrejtësi u bë edhe te Nasimi që s’u lejua të vinte për vëllanë. Ashtu edhe Haxhi Shalës i vdiq baba, e lejuan me ardh mas 3-4 dite. Bacit Jakup i vdiq vëllau, po njëjti rast. Kjo është padrejtësia më e madhe që bëhet”, ka thënë Gucati.