Profesori universitar, Mazllum Baraliu, ka thënë se në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve pavarësisht se është institucion i pavarur kushtetues ka ndikime nga subjektet politike.
Sipas tij këto ndikime ndodhin veçanërisht kur është në pyetje interesi i ndonjërit prej këtyre subjekteve ose kur është në pyetje pagesa e obligimeve të caktuara financiare.
“Fatkeqësisht jo vetëm tani por edhe më herët KQZ-ja ndonëse me kushtetutë është një institucion i pavarur me vetë faktin dhe për nga definicioni natyra e veprimtarisë së tij pra që përbëhet nga të deleguarit anëtarë të subjekteve politike ka edhe primesa politike në vendimmarrje hera herës pastaj kur janë interesat e subjekteve politike të atyre që janë anëtarë aty shpeshherë gjatë praktikës kaq vjeçare është hetuar, është vërejtur që ka ndikime politike nga subjektet politike veçanërisht kur është në pyetje interesi i ndonjërit prej këtyre subjekteve ose sidomos kur është në pyetje pagesa e obligimeve të caktuara financiare”, ka thënë ai.
Sa i përket vendimit të KQZ-së për mosçertifik të Listës Serbe Baraliu ka thënë se nuk e di me siguri nëse ka pasur një ndikim të tillë politik, mirëpo sipas tij natyra e votimit ka treguar se aty ka pasur diversitet mendimesh.
Kurse për vendimin e PZAP-së është shprehur se është vendim që i takon në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme dhe se vendimet e tij janë të detyrueshme për KQZ-në.
“Edhe në këtë vendim nuk po them unë që ka apo nuk ka, por vetë natyra e votimit tregon që aty ka pasur diversitet mendimesh ndonëse ai po them si organ institucion i pavarur kushtetues është dhe do të duhej të ishte i pavarur. A është mirë i organizuar dhe i paraparë organizimi dhe funksionimi i tij jo, do të duhej të ishte ndryshe, ka modele të ndryshme në botë që profesionalizohen anëtarët, neutralizohen nga ndikimi i subjekteve politike, por ne e kemi si e kemi dhe vendimi i tij ka qenë që është marrë ashtu siç është marrë, vendimi i sotëm i PZAP-it është vendim i një organi instancial që ka të drejtë në bazë të ligjit për zgjedhjet e përgjithshme të vendosë dhe vendimet e tij janë të detyrueshme për KQZ-në”, ka deklaruar Baraliu.
Ndryshe, të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ndërkaq, të mërkurën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.