Hysni Gucati, ish-kryetari i Organizatës së Veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK) gjatë rrëfimit të tij pas rikthimit në liri ka thënë se padrejtësi është edhe qëndrimi në burg në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, sepse sipas tij nuk po dihej pse po mbahen pasi që lufta e tyre ishte e drejtë dhe e shenjtë.
“Nuk e di një luftë mas luftës së Skënderbeut që është bë ma e shenjët e ma e drejtë që ka bë Ushtria Çlirimtare e Kosovës”.
Mbajtja në burg për katër vite e tre muaj për rrjedhjen e dokumenteve nga gjykata për të cilat ai ka thënë se as nuk e di se kush e ka bë, as si ka ndodh e as për çfarë arsye është padrejtësi shumë e madhe.
Ai ka folur edhe për komunikimin që kishin me të paraburgosurit e tjerë.
Gucati ka thënë se kanë qëndruar bashkë. “kemi nejtë bashkë në një pavijon nga ora shtatë deri në ora tetë e tridhjetë kemi nejtë bashkë, komunikimi ka qenë shumë shumë vëllazërorë, jo pse kemi qenë bashkëluftëtarë por shumë vëllazëror ka qenë’, ka thënë ai.
“Ngarkesat e aktakuzës kanë qenë të gjitha siç i dini edhe ju”.
Ai ka folur edhe për ish komandantin e UÇK-së, tani të dënuarin Sali Mustafa “Cali”.
“Është shumë një djalë i fortë, një burrë i fortë, shumë një luftëtarë i fortë, edhe pas shqiptimit të dënimit. Më shumë jemi mërzitë ne se sa ‘Cali’ kur është dënu 26 vite, të jeni të bindur. Dje ka qenë telefonata e tina e fundit që kam fol”, ka thënë Gucati.
Pavarësisht se ‘Cali’ është me diabet, Gucati ka thënë se ai është mirë me shëndet dhe “mbahet mirë”.
Qëndrimi në burg me ta(Nasim Haradinajn, Jakup Krasniqin dhe të tjerët) është motiv pasi që ata janë të fortë dhe nga ta motivohesh edhe më shumë ka thënë Gucati.
“Neve na kanë jap kurajo edhe më shumë”, ka thënë ai.