Gashi: E habitshme kërkesa e Sveçlës për vizitë në Preshevë

Aktuale

Gashi: E habitshme kërkesa e Sveçlës për vizitë në Preshevë

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 00:37
Bejtush Gashi

Kandidati për deputet nga “Koalicioni për familjen” Bejtush Gashi, e sheh të habitshme arsyen e kërkesës së ministrit Xhelal Sveçla për vizitë në Luginë pasi siç ka thënë ‘ai ka qenë shumë i ekspozuar gjatë vitit’.

Ndërkaq, refuzimin e kërkesës për vizitë në Kosovë të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës e sheh reciprocitet.

“Në këtë kohë është edhe e habitshme arsyeja pse ministri mund të ketë bërë kërkesë për realizimin e një vizite në Luginën e Preshevës për faktin se ka qenë shumë i ekspozuar ky në këtë vit në ato komuna. Këto janë reciprocitete çdo herë ka ndodhur që kur kemi pasur raste të tilla nëse eventualisht është refuzuar një kërkesë me automatizëm është një reciprocitet për faktin se ministrat dhe ai ministër që ka bërë kërkesë të vizitojë sigurisht ka qenë i motivuar dhe me skenar të caktuar politik për të mobilizuar Listën Serbe”, ka thënë ai.

Ministria e Punëve të Jashtme të mërkurën ka bërë të ditur se Serbia ia ka refuzuar kërkesën për vizitë zyrtare njëditore ministrit të Brendshëm, Xhelal Sveçlës në Medvegjë e Bujanoc më 23 dhe 24 dhjetor me arsyetimin se qëndrimet e ministrit të Brendshëm janë të drejtuara kundër komunitetit serb në Kosovë dhe kundër paqes dhe stabilitetit.

Ndërsa, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka refuzuar kërkesën për vizitë në Kosovë të Ministrit për Informacion dhe Telekomunikacion të Serbisë, Dejan Ristiq, më 24-26 Dhjetor 2024.

Nga MPJD kanë thënë se vendimi ka ardhur pas veprimeve të Qeverisë së Serbisë për refuzimin e lejimit të vizitave të shumicës së përfaqësuesve të lartë të Qeverisë së Kosovës, në Luginë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat