Në media është raportuar se të akuzuarit nga Gjykata Speciale, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi pritet që të jenë pranë familjeve të tyre në Kosovë për festat e fundvitit.
Një vizitë e tillë është mohuar për televizionin teve1 nga Angela Griep, zëdhënëse e Dhomave të Specializuara në Hagë.
“Aktualisht nuk ka asnjë dosje publike në lidhje me vizitat e mundshme të paraburgosurve në Kosovë”, ka thënë ajo.
Ndryshe, ata akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Aktakuza i bën përgjegjës Thaçin, Veselin, Krasniqin e Selimin për një sërë krimesh që pretendohet se janë kryer në disa qendra ndalimi gjatë viteve 1998-1999.
Më 3 gusht të vitit 2015, me shumicë votash, deputetët e Kuvendit të Kosovës i kishin votuar ndryshimet kushtetuese që do ta mundësonin themelimin e Dhomave të Specializuara, që njihen si Gjykata Speciale.