Kandidatja për deputete nga Nisma Socialdemokrate Xhevahire Izmaku, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të fundit të ministrit Hekuran Murati, duke i cilësuar ato si fyese dhe të papërshtatshme për një përfaqësues të qeverisë.
Izmaku thekson se ironia dhe sarkazma e ministrit ndaj shtesave të fundvitit për fëmijë dhe pensionistë janë një tregues i mungesës së ndjeshmërisë ndaj sfidave reale me të cilat përballen qytetarët e Kosovës.
Ajo u bëri thirrje qeverisë që të fokusojë politikat e saj në luftimin e varfërisë dhe mbështetjen e familjeve në nevojë, duke theksuar se arroganca politike nuk ka vend në një shtet demokratik.
Izmaku, e njohur për angazhimin e saj në çështjet sociale, ka deklaruar se, nëse zgjidhet deputete, do të bëjë gjithçka që zëri i qytetarëve në nevojë të dëgjohet dhe të ndërmerren masa konkrete për përmirësimin e jetesës së tyre.
Postimi i plotë:
Arroganca e përsëritur nga ministri Murati!
Deklaratat e tilla nga një ministër, që përqesh qytetarët e një vendi ku varfëria mbetet ende një sfidë e madhe, janë fyese dhe të papranueshme.
Në një kohë kur shumë familje po luftojnë për të përmbushur nevojat bazike, ironia dhe sarkazma ndaj shtesave të fundvitit për fëmijë dhe pensionistë, tregojnë mungesë të thellë ndjeshmërie ndaj realitetit të qytetarëve.
Qeveria duhet të përqendrohet në krijimin e politikave që luftojnë varfërinë dhe ndihmojnë familjet në nevojë, jo të tallet me ata që përpiqen të mbijetojnë.
Respekti për qytetarët duhet të jetë mbi çdo formë arrogance politike.