Anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Sami Kurteshi ka deklaruar se Lista Serbe mund të çertifikohet por jo me votën e Lëvizjes Vetëvendosje.
Kurteshi ka treguar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk mendon se ka arsye që ta kundërshtojë vendimin e PZAP-së pasi siç ka thënë edhe Gjykata Supreme mban të njëjtin qëndrim.
“KQZ-ja nuk ka ndonjë arsye që ta kundërshtojë vendimin e PZAP-së, në rastin më të mirë ne e kemi votuar kundër, ne jemi subjekti me interes juridik por ne mendojmë se nuk duhet të ankohemi për arsye se edhe Gjykata Supreme mban të njëjtin qëndrim, qëndrimi është sipas parimit të vjetër, me letra është gjithçka në rregull. Lista Serbe mund të certifikohet por jo me votën tonë”, ka thënë Kurteshi.
Ai ka shtuar se vendimi i PZAP-së nuk e ka ndryshuar qëndrimin e LVV-së për Listën Serbe sepse sipas tij PZAP-ja ka prekur vetëm disa elemente formale.
“Ne e kemi shfaq qëndrimin tonë përmes votës, ne kemi votuar kundër çertfikimit të Listës Serbe, bindja dhe qëndrimi ynë nuk ka ndryshuar as pas vendimit të PZAP-së, sepse PZAP-ja ka prekur vetëm disa elemente formale, por jo ashtu siç e ka gjykata për obligim që t’i trajtojë të gjitha rrethanat e mundshme dhe rrethanat e tilla realisht flasin edhe kundër vendimit të PZAP-së”, ka shtuar ai.
Ndryshe, të hënën Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) nuk e ka certifikuar Listën Serbe – partinë më të madhe të serbëve në Kosovë – për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.
Ndërkaq, të mërkurën Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka anuluar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe e ka urdhëruar atë që ta certifikojë partinë politike, Lista Serbe, për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit.