​LVV-ja nuk do të ankohet për vendimin e PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe

Aktuale

​LVV-ja nuk do të ankohet për vendimin e PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 16:56
Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi

Anëtarët e Lëvizjes Vetëvendosje në Komisionin Qendror Zgjedhor (KQZ), nuk do të ankohen në Gjykatën Supreme për vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ku aprovohet ankesa e Listës Serbe dhe hidhet poshtë vendimi i KQZ-së e cila kishte vendosur që këtë subjekt të mos e certifikojë për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Anëtari i LVV-së në KQZ, Sami Kurteshi thotë për KP se nuk do të ankohen në Gjykatë Supreme, pasi mendojnë se do të jetë vendimi i njëjtë sikurse i PZAP-së.

Sipas tij, vendimi i PZAP-së të mërkurën, ishte “shumë formal pasi ai merr për bazë vetëm parimin se me letra është gjithçka në rregull” për pjesëmarrjen e Listës Serbe në zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurteshi: Ne kemi vendosur të mos ankohemi në Gjykatën Supreme për vendimin e PZAP-së

“Ne, dy kolegët që përfaqësojmë Lëvizjen Vetëvendosje në KQZ, kemi vendosur që mos të ankohemi si persona me interes juridik në këtë rast, pasi kemi votuar kundër. Ne mendojmë se edhe një vendim i Gjykatës Supreme do të jetë po kaq formal sikur ky i PZAP-së. Ne kemi parë vendimin e kemi lexuar dhe ai ka marrë parasysh vetëm disa aspekte formale, në kuptimin që njihet në Kosovë që me letra jemi gjithçka jemi në rregull”, thekson Kurteshi.

Ai vazhdon të insistojë se ka dëshmi dhe fakte të bollshme se Lista Serbe është” strofull e terrorizmit serb në Kosovë”, andaj, thotë ai, nuk duhet të certifikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Kurteshi: Bindja dhe qëndrimi jonë mbështetet në shumë dëshmi dhe fakte

Bindja dhe qëndrimi jonë mbështetet në shumë dëshmi dhe fakte. Argumenti jonë është se ky subjekt politik nuk duhet të certifikohet për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit. Ai përbën strofull të terrorizmit serb në Kosovë”, shton ai.

Përkitazi me këtë, Kurteshi deklaron se sërish kur KQZ-ja të shqyrtojë certifikimin e Listës Serbe, do të votojnë kundër.

Kurteshi: Ne do të votojmë sërish kundër, se si votojnë anëtarët të tjerë është vendim i tyre

“Ne nuk kemi asnjë arsye të vetme që të ndryshojmë qëndrimin tonë në raport me certifikimin e këtij subjekti politik. Ne jemi kundër certifikimit të këtij subjekti politik për të gjitha faktet që i kemi përmendur...Ne do të votojmë kundër, se si votojnë anëtarët e tjerë të KQZ-së është çështje e tyre dhe qëndrim i tyre dhe ne nuk përzihemi aty”, thekson Kurteshi.

Kryetari i partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, Zllatan Ellek, në prezantimin e kandidatëve për deputetë i është referuar Kosovës si “Kosova dhe Metohija”.

Kjo u bë shkak që dy anëtarë të KQZ, nga partia në pushtet - Sami Kurteshi dhe Albin Krasniqi, të kundërshtojnë certifikimin e këtij subjekti në mbledhjen e 23 dhjetorit.

Pas ankesës së këtij subjekti politik në PZAP, kjo e fundit të mërkurën aprovoi ankesën e saj dhe urdhëroi KQZ-në të certifikojë Listën Serbe.

Sipas arsyetimit të PZAP-së, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit ka plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.

Sipas afateve ligjore, pas përfundimit të afatit për ankesa prej 48 orëve dhe nëse s’ka të tilla, vendimi i PZAP-së bëhet i plotfuqishëm dhe vendimmarrja i kthehet sërish KQZ-së.

Moscertifikimi i Listës Serbe ishte kritikuar edhe nga vendet e QUINT-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat