Ministri Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinierëve profesional dhe teknik në FSK

Aktuale

Ministri Maqedonci: Nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i kuzhinierëve profesional dhe teknik në FSK

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 17:27
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se nga 16 dhjetori ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik në Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Në një postim në Facebook, ai ka falënderuar të gjithë ata që i dolën në ndihmë FSK-së që të mos ndërpritej asnjë ditë ushqimi i ushtarëve.

“Gjersa në publik ngriteshin me apo pa vetëdije teori të ndryshme dhe shpërndaheshin dezinformata të dëmshme, Shërbimi Korrektues i Kosovës dhe Qendra e Studentëve ishin ata që vullnetarisht mundësuan që as edhe një ditë të mos ndërpritej shërbimi i ushqimit për pjesëtarët e ushtrisë sonë, gjersa po jetësohej koncepti i ri i shërbimit me ushqim”.

“Shpirti atdhetar e kontributdhënës i tyre që shoqëroi çdo ditë nga tetori deri me datën 16 dhjetor të këtij viti është i paçmim, andaj jam tejet i lumtur që sot prita në ministri, Drejtorin e Qendrës së Studentëve – Ekrem Rudari, Drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës – Ismail Dibrani, Drejtorin e Mensës – Fahri Osmani, si dhe njëzet e pesë vullnetarët, kuzhinierët dhe stafi mbështetës nga këto dy insitucione. Falenderues ndaj secilit prej tyre që me punë përmbyllën suksesshëm këtë periudhë kalimtare, gjersa jam i ngazëllyer të jap lajmin se nga data 16 dhjetor ka filluar punën stafi i ri i rekrutuar i kuzhinierëve profesional dhe teknik”, ka shkruar Maqedonci.

Ai ka pohuar se sistemet e armatimit, ushqimi, dhe as financimi për shkollimin dhe trajnimin e pjesëtarëve të FSK-së në Qeverinë Kurti nuk do të mungojnë asnjëherë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat