A u intervistua Haradinaj nga prokurori në zyrë?

Aktuale

A u intervistua Haradinaj nga prokurori në zyrë?

Më: 26 dhjetor 2024 Në ora: 20:49
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se nuk ishte i pari që ka kërkuar intervistim në zyre të kryeministrit. Tëvë1 mëson se para tij një kërkesë të tillë e ka bërë Ramush Haradinaj sa ishte kryeministër. Ai dëshmoi para prokurorit special Valdet Gashi, të cilin e kontaktoi televizioni por nuk dha përgjigje. Nga AAK-ja thonë se Haradinaj gjithmonë ka respektuar normën ligjore, e njohësit e ligjit ia kujtojnë Kurtit që erdhi në pushtet për të qenë ndryshe e jo njëjtë sikur AAK-ja.

Ka gati dy javë që ka ftuar prokurorët në zyrën e tij për ta intervistuar në rolin e dëshmitarit.

Por shefi i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti tha se nuk është i pari që e ka bërë këtë veprim.

Kryeministri që dha dëshmi në objektin e Qeverisë së Kosovës, sipas burimeve të televizionit është Ramush Haradinaj.

Ai këtë dëshmi e dha para prokurorit special, Valdet Gashi, për rastin e 53 milionëshit.

Valdet Gashi është i njëjti prokuror që ia dërgoi ftesën për dëshmi edhe Kurtit.

Për dy ditë, Tëvë1 ka pritur përgjigje nga Gashi se pse ka shkuar në zyrën e Haradinaj dhe çfarë rrethana kanë qenë që Haradinaj nuk është paraqitur në Prokurori mirëpo i njëjti nuk ka kthyer përgjigje.

E nga Aleanca per Ardhmërinë e Kosovës, thone qe Haradinaj ka respektuar gjithmonë normën ligjore.

Deputeti Shemsedin Dreshaj ka mohuar që kryetari i partisë së tij është intervistuar në zyrë.

Mirëpo, për avokatin Yll Zekaj edhe nëse kjo praktikë ka ekzistuar, të njëjtin shembull nuk duhet të ndjek Kurti i cili ka ardhur në pushtet për ndryshime.

Zekaj thotë se kryeministri Kurti duhet të jetë model dhe jo t’i bënte këto veprime për një grusht votash.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat