Deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe anëtari ri i AAK-së, Haki Abazi, shprehet i bindur se me qeverisjen e tyre Kosova mund të bëhet shpejtë anëtare e aleancës më të fuqishme ushtarake në botë, NATO-s. Megjithatë më skeptik për këtë çështje shprehet profesori nga Universiteti Agder në Norvegji, Abit Hoxha.
Shprehen të bindur se anëtarësimin e Kosovës në strukturat e NATO-s do ta bëjnë realitet nëse rikthehen në pushtet.
Ky është premtimi dhe synimi kryesor i partisë opozitare, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.
Anëtari i ri kësaj partie, Haki Abazi, thotë se nuk ka dilema që ky plan është i arritshëm për t’u anëtarësuar në Aleancën më të fuqishme ushtarake në botë, përmes procedurave të përshpejtuara.
Ish-zëvendëskryeministri i Kosovës vlerëson se rrethanat kanë ndryshuar pas luftës në Ukrainë, duke përmendur këtu edhe anëtarësimin e shpejtë të Finlandës dhe Suedisë në NATO.
“Nuk asnjë dilemë që kjo mund të arrihet nëpërmjet planit të aksionit që tejkalon procedurat e partneritetit për paqe dhe certifikimit të regjimenteve të cilat janë duke ndodhur në procesin e transformimit të Forcës së Sigurisë në ushtri sipas planit të vitit 2029. Kjo e bënë të mundur që anëtarësimi i ushtrisë së Kosovës në NATO të bëhet shumë shpejt brenda mandatit qeverisës”, ka thënë Abazi.
Por më i rezervuar për këtë çështje shprehet profesori në Universitetin Agder në Norvegji, Abit Hoxha.
Hoxha thotë se nuk është e mençur të bëhen premtime të tilla nga partitë politike meqë anëtarësimi në NATO nuk varet vetëm nga dëshirat e Kosovës.
“Mendoj që partitë politike në Kosovë nuk është mirë që të bëjnë premtime elektorale të cilat nuk varen ekskluzivisht prej tyre. Për anëtarësim të Kosovës në këtë aleancë duhet ketë vullnet politik brenda NATO-s dhe së dyti duhet të ratifikohet kjo ftesë në të gjitha kuvendet ose parlamentet e vendeve anëtare të NATO-s. Dhe siç e dimë brenda NATO-s ka shtete që akoma nuk e kanë njohur Kosovën”, shprehet Hoxha.
Pjesë e NATO-s janë 32 shtete anëtare ku katër prej tyre; Greqia, Rumania, Sllovakia dhe Spanja nuk e kanë njohur pavarësinë e shtetit më të ri në Evropë.
Në rajonin e Ballkanit Perëndimor, përveç Kosovës as Bosnja Hercegovina e Serbia nuk janë pjesë e NATO-s.