Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Hisen Berisha komentoi edhe zhvillimet e fundit në lidhje me moscertifikimin e Listës Serbe për zgjedhje dhe më pas anulimin e këtij vendimi nga paneli zgjedhor.
Sipas Berishës, Lista Serbe nuk duhet të jetë pjesë e sistemit zgjedhor sepse ka pasur role destabilizuese në Kosovë. Por sipas tij, një gjë e tillë nuk mund të ndodhë tani, pasi veprimet duhet të ishin ndërmarrë më përpara.
Megjithatë, ai shton se përjashtimi i përfaqësuesve për qytetarët serbë do të ishte i dëmshëm për Kosovën.
“A do të duhej Lista Serbe të mos jetë pjesë e sistemit zgjedhor? Kam reaguar edhe më herët se kjo listë duhet përjashtuar nga sistemi zgjedhor se është sistem i Beogradit dhe ka rol destruktiv. Ka qenë pjesë e destabiliteteve të vazhdueshme që janë bërë në vendin tonë. Përjashtimi i përfaqësuesve të qytetarëve serbë nuk mund të ndodhë. Është i dëmshëm dhe pengues për Kosovën. Por Lista Serbe si listë nëse është menduar që të mos jetë pjesë, atëherë është dashur të ushtrohet padi ndaj tyre me kohë. Të penalizohet dhe të ketë vendime gjyqësore ndaj tyre që të mund të përjashtohen tani. Tani, nuk ka më kohë për penalizim. Prandaj, këto veprime janë thjesht për efekt elektoral për të shfaqur ndonjë patriotizëm. Duhej që sot të kishim argument që të përjashtohen.”, u shpreh Berisha.