E thotë Veseli: Serbia ende sfidon sigurinë territoriale të Kosovës

Aktuale

E thotë Veseli: Serbia ende sfidon sigurinë territoriale të Kosovës

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 00:45
Afrim Veseli

Njohësi i rrethanave ushtarake dhe të sigurisë, Afrim Veseli ka thënë se Serbia vazhdon ta sfidojë sigurinë territoriale të Republikës së Kosovës. Duke folur për sulmin terrorist mbi kanalin e Ibrit në magazinën “Lajmet e Fundit” në televizionin publik, ish-ushtaraku ka thënë se qëllimi ka qenë dëmtimi i popullatës civile.

“Fqinji verior me të cilin i kemi ndarë rrugët në vitin 1999 përmes luftës për çlirim ende e sfidon sigurinë territorial të Kosovës. Në këtë kontekst ka qenë edhe sulmi i fundit terrorist. Ky sabotazh ka pasur për qëllim të godasë infrastrukturën kritike dhe të dëmtojë popullatën civile”, ka theksuar Veseli.

Sipas tij, atakimi i kanalit të Ibrit, që nënkupton të mos ketë ujë në disa komuna të Kosovës dhe të ndalet furnizimi me rrymë, e prodhon krizën humanitare.

“Modele të ngjashme përdorin ushtritë dhe shtetet që kanë doktrina të vjetra sovjetike, dhe Serbia nuk ka dalë ende prej saj, teksa ngjashëm është duke vepruar Rusia në Ukrainë”, ka shtuar Veseli.

Ai ka thënë se reagimet e faktorit ndërkombëtar për sulmin ndaj kanalit terrorist në kanalin e Ibrit kanë qenë më ndryshe se sa ato për sulmin terrorist në Banjskë.

“Edhe pse atje ka qenë shumë evidente dhe me argumente të hapura sepse në xhirimet e dronëve u pa Milan Radojçiq që komandonte me atë grup paraushtarak, pra kishte prova, reagimi ka qenë më i dobët, nuk e di pse. Në rastin e kanalit të Ibrit reagimi ka qenë unanim i SHBA-së, BE-së dhe të gjitha shteteve tjera”, tha Veseli.

Lidhur me angazhimin e pjesëtarëve të FSK-së nga qeveria për ruajtjen e aseteve të infrastrukturës kritike pas sulmit në Varragë, Veseli ka thënë se ai ishte vendim i duhur.

“Në rastet kur sulmohesh si në këtë rast, vlerësimet e organeve të sigurisë mund të presin se mund të ketë edhe sulm të dytë apo të tretë. Mendoj se është gjë e mirë dhe pjesëtarët e FSK-së e kanë kryer me sukses dhe mburrje atë detyrë. Ushtria përdoret vetëm atëherë kur jemi në rrezik dhe shteti ynë i ka ndërmarrë masat”, ka nënvizuar ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat