Periudha e aplikimit për regjistrim të votuesve jashtë Kosovës, e cila ka filluar më 29 gusht, ka përfunduar më 26 dhjetor 2024.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, tha se periudha 120 ditore për regjistrimin e votuesve jashtë Kosovës ka përfunduar.
"Sipas të dhënave preliminare, numri i shtetasve të Kosovës që janë regjistruar si votues jashtë Kosovës në periudhën 29 gusht – 26 dhjetor 2024, deri në orën 23:59 është: 90,860, ndërkaq numri i aplikimeve që janë në shqyrtim është: 18,244", tha ai për RTKlive.
Velezi tha se shqyrtimi i aplikimeve të pranuara do të vazhdojë edhe gjatë ditës së premte.
"Do të bëjmë përpjekje që në një kohë sa më të shpejtë të kemi një raport përfundimtar për numrin e shtetasve të regjistruar për të votuar nga jashtë Kosovës, të ndarë sipas mënyrës së votimit dhe sipas shteteve", tha ai.