Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) me përkrahje të Byrosë së Narkotikëve Ndërkombëtar dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL) – Departamentit të Shtetit Amerikan, si dhe National Endowment for Democracy (NED) ka publikuar raportin “Përzgjedhja e Kryeprokurorëve-Raport i monitorimit të procesit të përzgjedhjes së Kryeprokurorëve të Prokurorisë se Apelit dhe Kryeprokurorit të pesë (5) Prokurorive Themelore”.
IKD njofton se ka monitoruar procesin e përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorisë së Apelit dhe pesë Prokurorive Themelore (Prizren, Pejë, Gjilan, Mitrovicë dhe Ferizaj). Bazuar në gjetjet e monitorimit të IKD, ky proces vlerësohet si proces kryesisht i drejtë dhe meritor, me përjashtim të procesit të Prokurorisë së Apelit ku u evidentuan një numër më i madh i problemeve.
Raporti thekson se sa i përket proceseve të përzgjedhjes së kryeprokurorëve të Prokurorive Themelore, ky institut gjeti se procesi ishte përgjithësisht i drejtë, meritor dhe transparent. Panelet vlerësuese aplikuan një qasje të barabartë ndaj kandidatëve dhe dallimet në poentime ishin brenda kufijve të vlerësimit të lirë.
Në lidhje me këto, gjetjet e raportit të IKD-së, vlerësojnë si problematike arsyetimin duke u referuar në performancën e kandidatëve. “Në disa raste, poentimi dhe arsyetimet e dhëna nga anëtarët e paneleve vlerësuese përfshinin vlerësimet e performancës së kaluar të kandidatëve, edhe pse këto janë kritere formale për t’u pranuar në garë dhe jo për të ndikuar në vlerësimin e kritereve për përzgjedhje të Kryeprokurorëve”, thekson raporti.
Sipas gjetjeve të IKD-së, përdorimi i këtij kriteri paraqet vlerësim të dyfishtë derisa mos aplikimi i këtij arsyetimi tek të gjithë kandidatët paraqet një lloj pabarazie. Për këtë arsye, IKD në raport vlerëson se aplikimi i këtij kriteri duhet të shmanget në të ardhmen.
“Sa i përket procesit për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit, IKD ka evidentuar disa probleme. Fillimisht, IKD ka evidentuar diskrepancë të theksuar në vlerësimin e kandidatëve nga anëtarët e panelit vlerësues, ku për të njëjtin kandidat, pikët për të njëjtat kritere ndryshonin ndjeshëm. “Kjo krijoi perceptimin e preferencave personale të anëtarëve të panelit në raport me kandidatët për kryeprokurorë të Prokurorisë së Apelit. Tutje, sa i përket këtij procesi, IKD evidentoi se në një rast, njërit prej kandidatëve nuk iu parashtrua një pyetje e cila i ishte parashtruar të gjithë kandidatëve të tjerë. Derisa në një rast tjetër, në bazë të monitorimit, IKD vlerëson se një pyetje nuk ishte mjaftueshëm e qartë”, thuhet në raport.
Sipas raportit, procesi ishte përgjithësisht transparent, me përfshirjen e monitoruesve të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë. Megjithatë, panelet vlerësuese nuk siguruan qasje të plotë në arsyetimin e poentimit të dhënë, duke ofruar këto dokumente vetëm në shikim.
“Raportin gjen se sa i përket barazisë gjinore, pjesëmarrja e grave ishte shumë e ulët, ku nga 15 kandidatë, 5 prej tyre ishin gra dhe 10 ishin burra. Nga gjithsej gjashtë (6) prokurori, vetëm në dy (2) prej tyre pati kandidate gra derisa në katër (4) prokurori të tjera gara zhvillohej në mes të burrave. IKD në raport rekomandon që në të ardhmen, KPK duhet ta adresojë këtë situatë në kuptim të nenit 4 të Ligjit për Barazi Gjinore”, njofton ky institut.
Përfundimisht, raporti nga monitorimi i IKD-së gjen se procesi ka qenë kryesisht meritor dhe transparent për shumicën e pozitave, me disa probleme më të theksuara në procesin për përzgjedhjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë së Apelit.