Gazetari i medias gjermane, Bahri Cani, ka bërë pyetjen më të rëndësishme për zgjedhjet dhe ajo sipas tij është se kë do ta votojë mërgata?
Cani përmes një shkrimi në Facebook, thotë se fuqia e mërgimtarëve është më e madhe se numri 100.000, gjersa rendit votat e mundshme të kandidatëve.
“Për votim nga mërgata janë regjistruar mbi 100.000 vetë, që i sipas llogarive i bie më pak se çdo i dhjeti, sepse vetëm në Gjermani jetojnë 595.000 njerëz (të regjistruar zyrtarisht) të Kosovës, në Zvicër rreth 350.000, në Skandinavi... Por janë më shumë se para katër vitesh ndërsa ky numri prej rreth 100.000 mashtron pak, sepse në realitet fuqia e tyre është shumë më e madhe. Sidoqoftë, pyetja më e rëndësishme është për kë do të votojnë mërgimtarët? Kandidati i LDK-së për kryeministër, Lumir Abdixhiku, i ka dërguar "40 mijë falënderime mërgatës”, sepse, sipas tij, kaq mërgimtarë do ta votojnë LDK. Kjo parti ka edhe kandidatë nga mërgata në listë. PDK ka pasur tubime me një numër shumë të madh në Shtutgart, Këln dhe shumë qytete të tjera në Gjermani, Zvicër, Itali. Ajo ka edhe një numër të konsideruar nga mërgata dhe llogarit me një numër shumë më të madh të votave, sesa para katër vitesh. Edhe AAK ka një numër të konsideruar të mbështetësve si dhe kandidat nga mërgata. E për VV të mos flasim, sepse liderët e saj llogarisin se mërgatën e kanë në anën e tyre”, ka shkruar Cani.
Tutje, sipas Canit, të gjithë partitë janë duke zhvilluar një garë shumë të madhe për mërgatën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me nurmin e personave të regjistruar, por edhe me ndikimin e tyre që ata kanë në vendlindjet tek familjarët.
“Me një fjalë, të gjitha partitë janë duke zhvilluar një garë shumë të madhe për mërgatën dhe kjo nuk ka të bëjë vetëm me numrin e personave të regjistruar, por edhe me ndikimin e tyre që ata kanë në vendlindje tek familjarët.
Po a është mirë që mërgata të vendos zgjedhjet, kjo është një çështje tjetër që do të debatohet gjërë e gjatë deri me 9 shkurt...”, ka përfunduar gazetari.