Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Jeffrey Hovenier, në përfundim të mandati të tij në Kosovë, së bashku me presidenten Osmani ka vendosur kurorë me lule te përmendorja e ish-presidentit Ibrahim Rugova, si mirënjohje për kontributin e tij për Kosovën.
Hovenier tha se ky akt ishte, akti i parë që e kishte bërë kur mori mandatin tri vite më parë dhe vendosi që po me të njëjtin ta përmbyllë.
“Kjo është java ime e fundit e takimeve zyrtare si ambasador i SHBA-së në Kosovë. Tri vite më parë, në janar të vitit 2022 erdha në këtë vend, i dorëzova kredencialet e mia te presidentja e vendit dhe akti i parë zyrtar i imi ishte t’i bashkëngjitesha presidentes Osmani në për homazhe te përmendorja e presidentit Rugova. Kjo mu duk e duhura për ta bërë edhe si veprimin tim të fundit të shërbimit në Kosovë, si mirënjohje për kontributin e ish-presidentit Rugova dhe për çfarë ai qëndroi për të mbrojtur të drejtat e popullit të Kosovës, për një vend sovran, demokratik dhe multietnik. Kisha kënaqësi që e kam njohur. Dua të falënderoj popullin e Kosovës, ishte përmbushje e ëndrrave të mia të shërbej si ambasador i SHBA-së në Kosovë dhe të punojmë së bashku në avancimin e vendit”, tha Hovenier.
Hovenier shtoi se partneriteti i SHBA-së me Kosovën mbetet i vazhdueshëm. Ai tha se nga Kosova po largohet si një mik edhe më i fortë sesa kur erdhi.
Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit tonë. Duam ta shohim Kosovën të ketë sukses dhe të përparojë. Kur mendoj se si ishte ky vend kur fillova të punoja për të në fund të viteve të nëntëdhjeta, kur mendoj se si ishte në kohën e pavarësisë dhe kur mendoj se si është tani, nuk ka asnjë dyshim për përparimin dhe për kapacitetin e njerëzve të Kosovës, për qëndrueshmërinë e tyre për të realizuar vizionin e tyre për një shtet sovran, të pavarur, demokratik, shumetnik, të begatë dhe të suksesshëm. Ka qenë kënaqësia dhe nderi im të luaj një rol të vogël në mbështetjen e këtij procesi. Së bashku me popullin amerikan, ju uroj të gjithëve çdo sukses. Do të largohem si një mik edhe më i fortë i Kosovës sesa isha kur mbërrita”, tha Hovenier para mediave.