Ditëve të fundit qytetarët e Kosovës po përballen me reduktime të shumta të energjisë elektrike. Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka folur për këtë çështje në mbledhjen e Qeverisë.
Kurti tha se kanë kërkuar angazhim maksimal nga operatorët e rrjetit, KOSTT Dhe KEDS për zgjidhjen e problemit.
Në ditët e fundit kemi marrë shumë shqetësime në lidhje me furnizimin me energji elektrike në disa komuna. Këto shqetësime i kemi përcjellë tek operatorët e rrjetit, KOSTT Dhe KEDS dhe kemi kërkuar nga ta angazhim maksimal në disa drejtime, përkushtim intensiv në terren për zgjidhjen e problemeve teknike të rrjetit, për prishjet, komunikim të qartë dhe të shpeshtë me qytetarët dhe finalizim me urgjencë të punimeve në nënstacionin e ri të Ferizajt që do të zgjidh problemin për këtë qytet dhe do të zgjidh problemin edhe në komunat tjera”, tha Kurti.
Kurti ka kërkuar nga qytetarët që racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike sidomos nga ora 18:00 deri në mesnatë.
“Si çdo dimër paraprak, qytetarët i lusim të racionalizojnë konsumin e energjisë elektrike veçanërisht gjatë orëve nga ora 18:00 deri në mesnatë, në të mirë të sigurisë të sigurisë së të furnizimit për vete dhe të vendit tonë”, ka thënë Kurti.
Problemet me furnizim me energji elektrike, është paralajmëruar të vazhdojnë edhe javën e ardhshme.
Kështu konfirmoi përfaqësuesi i KOSTT-it, Evetar Zeqiri pas takimit me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
Zeqiri ka deklaruar para mediave se problemi me energji elektrike është i përkohshëm dhe siç tha ai pritet të zgjasë vetëm këtë javë dhe javën tjetër dhe më pas ngarkesa pritet të ulet.