Qeveria tregon numrin e personave përfitues nga ndarja e shtesave prej 100 euro

Aktuale

Qeveria tregon numrin e personave përfitues nga ndarja e shtesave prej 100 euro

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 12:11
Foto ilustrim

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka miratuar vendimin për ndarjen e shtesave për të gjithë fëmijët 0-16 vjeç dhe kategoritë e pensionistëve.

Kryeministri i Kosovës,Albin Kurti tha se ekzekutivi kosovar është i përkushtuar që çdo herë kur ka rritje ekonomike e buxhetore do të shpërndahen mjete për ata që kanë nevojë.

Kurti: Qeveria e përkushtuar të shpërndajë buxhet për ata që kanë nevojë

“Qeveria është e përkushtuar që atëherë kur kemi rritje ekonomike dhe rritje buxhetore atëherë do të shpërndahen tek ata që më së shumti kanë nevojë. Andaj, të dashur fëmijë të moshës nga 0 deri 16 vjeç dhe të cilët jeni pranues të shtesave mujore për fëmijë edhe sivjet do t’i përfitoni nga 100 euro secili. Mbështetjen e njëhershme do ta marrin edhe të gjithë pensionmarrësit e kualifikuar”, thotë ai.

Sqarime tutje për këtë vendim dha ministri i Financave, Hekuran Murati tha se nga kjo mbështetje përfitojnë 700 mijë persona.

Murati: Rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa

“Të gjitha skemat janë të përfshira edhe kategoritë e luftës, por edhe personat me aftësi të kufizuara i vetmi kusht dhe kriter është nuk mund të përfitoj dikush nëse është fitues i më shumë se njërës skemë. Pra nuk mund të përfitoj dy herë, por vetëm një herë mund të përfitoj. Ndërkaq kriteri tjetër është që të ardhurat nga skemat shtetërore të ardhurat e konsoliduara duhet të jenë nën 700 euro në muaj në mënyrë që mos të kemi mbështetje edhe ata që e tejkalojnë këtë nivel. Mjetet tashmë janë ndarë bëhet fjalë për rreth 700 mijë përfitues që do të përfitojnë nga këto shtesa, gjë që është një mbështetje voluminoze dhe e mirëpritur për këtë fund-vit”, tha Murati. .

Krahas kësaj, ekzekutivi miratoi edhe rregulloren për organizimin dhe funksionimin e Zyrës së koordinatorit kombëtar për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhunën ndaj grave dhe dhunën në baza gjinore.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu thotë se kjo rregullore parasheh që Zyra e Koordinatorit të funksionoj si sektretariat i koordinatores kombëtare.

Haxhiu: Masë kyçe për parandalimin dhe luftimin e dhunës

“Si një masë kyçe për të parandaluar dhe luftuar dhunën dhe për të ofruar mbrojtje dhe mbështetje për të mbijetuarit e dhunës. Zyra e Koordinatorit kombëtarë ka një rol të rëndësishëm dhe tashmë në këtë zyre veçse e kemi themeluar jemi në plan edhe të rekrutimit të disa personave për personel shtesë. Përmes kësaj rregulloreje parashihet që Zyra e Koordinatorit do të funksionoj si sekretariat i koordinatores kombëtare dhe ka për detyrë që të ofroj mbështetje për hartimin e politikave dhe adresimin e rasteve të dhunës në familje dhe monitorimin e këtyre praktikave”, tha ajo.

Qeveria e Kosovës edhe sot në mbledhje ka forcuar masat ekzistuese ndaj Rusisë.

Zëvendësministrja e Diasporës, Liza Gashi tha se me këto sanksione kundër Rusisë, Kosova rikonfirmon përkushtimin ndaj vlerave demokratike.

Gashi: Synojmë forcimin e masave ekzistuese kundër Rusisë

“Synon të forcoj masat ekzistuese dhe të parandaloj shmangien e tyre duke përfshirë zgjerimin e listës së personave dhe entiteteve të sanksionuara, individë dhe organizata të reja të lidhura me aktivitete ushtarake të Rusisë. Kufizime të reja si ndalimi i eksporteve, masa kundër shmangies së sanksioneve me qëllim të parandalimit të praktikave që synojnë anashkalimin e sanksioneve ekzistuese, sanksione në sektorin e gazit natyror”, thotë ai.

Në këtë mbledhje të Qeverisës së Kosovës është miratuar edhe propozim-vendimi preliminar për shpronësimin për interesin publik të pronave të paluajtshme për nevojat e Terminalit Doganor në Merdare.

Po ashtu, ekzekutivi shqyrtoi dhe miratoi drafin e strategjisë për menaxhimin e integruar të mbeturinave në Republikën e Kosovës 2024-2035 dhe planin e veprimit 2024-2026.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat