Lia e Majmunit, Deklarohen nga MSh-ja: Mos të krijohet panik, në shumicën e rasteve kalohet pa pasoja

Aktuale

Lia e Majmunit, Deklarohen nga MSh-ja: Mos të krijohet panik, në shumicën e rasteve kalohet pa pasoja

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 14:27
Foto ilustrim

Në Kosovë është konfirmuar rasti i parë me Linë e Majmunit. Në njoftimin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike bëhet e ditur se i infektuar është një 30 vjeçar,  i cili ka vizituar së fundmi Afrikën.

Ministria e Shëndetësisë (MSH) në një përgjigje për portalin rtv21.tv thotë se Laboratori i Mikrobiologjisë i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik të Kosovës (IKSHPK) ka mjaftueshëm reagjensa për detektimin e rasteve të reja eventuale të Mpox.

“Komunikimi i rrezikut ka nisur që nga muaji gusht, kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpalli Mpox si emergjencë të shëndetit publik. Për të garantuar një reagim të shpejtë dhe efikas, Ministria e Shëndetësisë dhe IKSHPK kanë përditësuar Udhëzuesin për përgjigje të shpejtë, i cili është shpërndarë tek institucionet shëndetësore për të mundësuar detektimin e shpejtë të rasteve. Po ashtu, janë shpërndarë informacione për publikun mbi masat preventive dhe kontrolluese që duhet të ndjekin qytetarët për t’u mbrojtur nga infeksioni. “, thuhet në përgjigjen e MSH-së.

Po ashtu ministria ka porositur se është e rëndësishme që qytetarët të jenë të vëmendshëm ndaj rasteve të mundshme.

“por mos të krijohet panik, sepse Mpox është një infeksion që mund të trajtohet dhe në shumicën e rasteve kalon pa pasoja.”, thotë MSH-ja për portalin rtv21.tv

Në anën tjetër Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës ka dhënë detaje mbi personin që raportohet se është prekur nga lia e majmunëve.

Në njoftim thuhet se pacienti është i moshës 30 vjeçar kishte qëndruar për 4 muaj në Afrikën Perëndimore, ra.

“Më datë 24.12.2024, në Klinikën Infektive të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), është pranuar një pacient 30-vjeçar nga Prishtina me manifestime të ndryshimeve lëkurore në formë ekzantemash vezikuloze, të shoqëruara me ënjtje të gjëndrave limfatike në qafë, aksila dhe inguinum. Nga të dhënat që janë marrë nga vet pacienti, ai ka qëndruar për 4 muaj në Afrikën Perëndimore, një zonë me rrezik të lartë për infeksion me M-Pox (Monkeypox)”, thuhet në njoftim

Më tej bëhet e ditur se është izoluar menjëherë në dhomë të veçantë për trajtim dhe monitorim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat