Deputeti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) Besian Mustafa ka akuzuar qeverisjen aktuale për menaxhim jo të duhur të gjendjes në sektorin e energjisë, në kohën kur pjesë të ndryshme të Kosovës kanë mbetur në terr në kohë dimri.
Mustafa thotë se Qeveria Kurti ka dështuar në ngritjen e kapaciteteve për prodhimin e energjisë elektrike duke mos pasur asnjë investim për prodhim të energjisë.
Ai ka përkujtuar se Qeveria ka bërë shpenzime enorme për importimin e energjisë mbi 700 milionë euro gjatë katër vjetëve të fundit, e cila ka krijuar përfitime vetëm për tregtarët e energjisë dhe jo për qytetarët dhe ekonominë e vendit.
Mustafa thotë se për pasojë e gjithë menaxhimit jo të duhur kemi gjendjen aktuale me ndërprerje të energjisë elektrike, të cilat arrijnë deri në 14 orë në ditë.
Mustafa: Qeveria Kurti dështoi të rrisë kapacitetet e energjisë elektrike
“Për katër vjet nuk kanë rritur asnjë kapacitet të gjenerimit, prodhimit të energjisë elektrike. Si rezultat kemi mungesën e tmerrshme të energjisë elektrike në këtë fund-vit, ku pjesë të tëra të Republikës së Kosovës mbesin pa rrymë deri në 14 orë pa energji elektrike. Është edhe deklarata e KESCO-s dhe KEDS-it që për çdo ditë importojnë nga 2-3 milionë e gjysmë euro energji elektrike. Pra, pashë edhe një analizë që për këta katër vjet të kësaj qeverie kanë importuar 700 milionë euro energji elektrike, kosto e energjisë së importuar, jo për të prodhuar energji elektrike në Kosovë, nga jashtë Kosovës. Aty përfitojnë vetëm tregtarët e energjisë elektrike, nuk përfitojnë qytetarët e vendit e as ekonomia dhe sektori privat apo prodhues. Me 700 milionë euro do të mund të ndërtonim termocentral tërësisht të ri për këtë periudhë, por kjo qeveri ka vendosur të blejë energji elektrike në vlerë 700 milionë euro”, thotë Mustafa.
Mustafa ka kritikuar edhe vendimin e Qeverisë Kurti për subvencionimin prej 50 milionë eurosh për pajisjet elektrike për ngrohje, duke theksuar se ky veprim ka kontribuar në mbingarkesën e sistemit energjetik gjatë periudhës së dimrit.
Mustafa: Qeveria gaboi me subvencione, tash ankohet për mbingarkesë
“Gabimin trashanik që ka bërë kjo qeveri, pra ka subvencionuar rreth 50 milionë euro blerjen e pajisjeve me rrymë për ngrohje e pastaj ankohet se ka mbingarkesë të sistemit të energjisë elektrike. Natyrisht se ka (mbingarkesë), kur ju jep qytetarëve 50 milionë euro për të blerë pajisje elektrike për ngrohje, ata do të shfrytëzojnë energjinë elektrike për ngrohje”, tha Mustafa.
Ministria e Ekonomisë ka bërë të ditur se rrjeti i shpërndarjes dhe transmisionit ka arritur kapacitetin maksimal mbi 1400 MW gjatë ditës dhe mbrëmjes, gjë e cila rrezikon stabilitetin e sistemit dhe furnizimin e disa zonave. Ministria ka bërë thirrje për kursim të energjisë elektrike. Ndërsa, në KOSTT kanë bërë të ditur se nuk ka mungesë të energjisë elektrike, por rrjeti elektro-energjetik po përballet me ngarkesë të madhe, e cila ka ‘prekur limitet maksimale’.