Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti së bashku me zëvendëskryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi, sot vizituan Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, i cili sot regjistroi katër milionë pasagjerë, përfshirë këtu pasagjerë shqiptarë e të huaj, nga brenda e jashtë vendit, që kanë udhëtuar nga dhe drejt Prishtinës, përmes këtij aeroporti.
Në shënim të kësaj ngjarje të rëndësishme, kryeministri Kurti nënvizoi që nga koha e liberalizimit të vizave kemi më shumë se dyfishim të pasagjerëve, 46% rritje të fluturimeve si dhe kemi 16 destinacione të reja e 16 operatorë të rinj.
Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së aeroportit, kryeministri njoftoi se janë krijuar lehtësira të tjera për zhvillimin e transportit ajror, siç është zgjatja e pistës nga 2,500m në 3,040m, avancimi i sistemit të aterimit – Instrument Landing System (ILS), i cili ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kapacitetit të aeroportit për pranimin e avionëve më të mëdhenj dhe më shumë fluturime, si dhe hapa e korridorit ajror përmes Shqipërisë që ka shkurtuar rrugën e fluturimit nga Republika e Kosovës për në Bashkim Evropian deri në 15 minuta. Ndërkaq, bazuar në marrëveshjen bilaterale me Zvicrën është arritur që për herë të parë të dizajnohet një operator ajror për transportin e udhëtarëve mes Kosovës dhe Zvicrës me kritere të caktuara nga shteti i Kosovës.
Ai tha se gjeografikisht, Kosova gjendet mu në mes të Ballkanit Perëndimor, çka na e bën edhe qendër rajonale dhe pikë strategjike të udhëtimit, dhe se zhvillimi i Kosovës kalon edhe nëpërmjet vendosjes së vendit si urë lidhëse mes shteteve të rajonit, por edhe mes rajonit dhe Evropës Qendrore e perëndimit në përgjithësi.
Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:
E nderuara znj. Emilija Rexhepi, Zëvendëskryeministre e Republikës së Kosovës,
I nderuari z. Liburn Aliu, Ministër i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës,
Të nderuar Zëvendësministra,
I nderuari z. Samir Bllacaku, Drejtor i Agjencisë së Shërbimeve të Nagivacionit Ajror,
I nderuari z. Gazmend Hoxha, Drejtor i Policisë së Kosovës,
I nderuar z. Hakan Öztürk, anëtar i Bordit dhe Kryeshef Ekzekutiv i Limak Kosovo International Airport,
Të nderuar deputetë të Kuvendit të Republikës, Driton Hyseni, Fitore Pacolli dhe Sali Zyba,
Të nderuar të pranishëm,
Zonja dhe zotërinj
Edhe katër ditë bëhet një vit që kur ishim këtu për të përcjellë fluturimin e parë pa viza. Liberalizimi i vizave tashmë i jep të drejtën e udhëtimeve afatshkurtra në zonën Shengen edhe qytetarëve të Republikës së Kosovës. Edhe përmes aeroportit "Adem Jashari", fluturimet për bashkatdhetarët në shkuarje e në kthim, janë më komode e më të shpejta.
Por, 362 ditë më vonë, po shënojmë një tjetër arritje, kësaj here të drejtpërdrejtë për Aeroportin "Adem Jashari". Është tejkaluar numri prej 4 milionë pasagjerëve shqiptarë e të huaj, nga brenda e jashtë vendit, që kanë udhëtuar nga dhe drejt Prishtinës, përmes këtij aeroporti. Urime të gjithëve!
Në anën tjetër, në vitin 2021 numri i pasagjerëve ishte 1,969,981 që do të thotë se ishin më pak se 2 milionë pasagjer, ndërkaq tash kemi sivjet më shumë se 4 milionë pasagjerë. Pra, kemi më shumë se dyfishim të pasagjerëve, 46% rritje të fluturimeve si dhe kemi 16 destinacione të reja e 16 operatorë të rinj.
Por, ky sukses është larg për të qenë i vetëm në këtë mandat qeverisës. Gjatë këtij 4-vjeçari jemi angazhuar në projekte zhvillimore për të përmirësuar infrastrukturën e aeroportit me ç’rast kemi krijuar lehtësira të tjera për zhvillimin e transportit ajror, sikur se që janë:
-Realizimi i projektit për zgjatjen e pistës nga 2,500m në 3,040m dhe avancimin e sistemit të aterimit – Instrument Landing System (ILS), që ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kapacitetit të aeroportit për pranimin e avionëve më të mëdhenj dhe natyrisht më shumë fluturime. Kurse sistemi ILS ka siguruar që sfidat e motit, mjegulla dhe pengesat e tjera të jenë dukshëm më të lehta.
-Kemi hapur korridorin ajror përmes Shqipërisë, duke e shkurtuar rrugën e fluturimit nga Republika e Kosovës për në Bashkim Evropian deri në 15 minuta. E kjo do të thotë, më pak karburant, më pak emetim të gazrave, bileta më të lira e më pak kohë e shpenzuar në udhëtim.
Për herë të parë kemi arritur që në bazë të marrëveshjes bilaterale me shtetin e Zvicrës të dizajnojmë një operator ajror për transportin e udhëtarëve mes Kosovës dhe Zvicrës me kritere të caktuara nga shteti i Kosovës. Sipas një analize të AAC-së për krahasimin e çmimit të biletave më të shtrenjta në muajt më frekuentues që janë korrik – gusht - shtator mes vitit 2023 dhe vitit 2024, ka rezultuar se në vitin 2024 çmimi i biletave të shitura ishte deri në 30% më i lirë sesa në vitin paraprak 2023, kurse numri i udhëtarëve në vitin 2024 është rritur për 233 mijë udhëtarë më shumë.
Janë shtuar portat e nisjes së udhëtarëve e janë instaluar sportelet për check-in me vetë-shërbim dhe kiosqe për vetëdorëzim e bagazheve, që ka ndikuar direkt në uljen e fluksit dhe të pritjeve të udhëtarëve para fluturimeve.
Të nderuar të pranishëm,
Gjeografikisht, Kosova gjendet mu në mes të Ballkanit Perëndimor, çka na bën edhe qendër rajonale dhe pikë strategjike të udhëtimit: të pikënisjes e të pikëmbërritjes.
Zhvillimi i Kosovës kalon edhe nëpërmjet vendosjes së vendit si urë lidhëse mes shteteve të rajonit, por edhe mes rajonit dhe Evropës Qendrore e perëndimit në përgjithësi.
Më shumë udhëtarë, më shumë fluturime, më shumë lidhje direkte të Kosovës me Evropën dhe botën. Për shkëmbim kulturor, zhvillim të bizneseve, dhe lidhjes mes qytetarëve dhe popujve, familjes e miqve.
Përgëzime e ju faleminderit!