Gërxhaliu: Kosova pa strategji të mirëfilltë për sistemin energjetik

Aktuale

Gërxhaliu: Kosova pa strategji të mirëfilltë për sistemin energjetik

Më: 27 dhjetor 2024 Në ora: 18:56
Njohës i ekonomisë, Safet Gerxhaliu

Njohës i ekonomisë, Safet Gerxhaliu duke folur për problemet me rrymë tha se Kosova nuk ka një strategji të mirëfilltë zhvillimore sa i përket sistemit energjetik.

“T’i thuash dikujt se jemi ndër vendet më të pasura me thëngjill dhe sot je i varur nga importi, e diaspora jonë të ballafaqohet me këtë dukuri është mëkati më i madh që i bëhet Kosovës”, tha ai në “Info Plus të RTK-së.

Sipas tij ajo që mungon më së shumti në Kosovë është transparenca përballë qytetarëve të saj. “Është e vërtetë që në kapacitetet më të mira Kosova prodhon 750 deri në 800 megavat, derisa në këto ditë të dimrit vendi ynë ka nevojë për 1500 megavat.Është promovuar me patriotizëm marrëveshja e përbashkët e energjisë elektrike mes Kosovës dhe Shqipërisë, ndërsa edhe aty ka probleme. Falë një marrëveshje të tillë Kosova është e bllokuar nga lobimi serb në vendet e rajonit. Kosova në të kaluarën ka pasur gjashtë kanale për t’u furnizuar me energji elektrike dhe tani ka vetëm dy dhe kjo po e ngufatë ekonominë kosovare”, tha ai.  

Sipas tij kohëve të fundit është investuar shumë pak në zgjerimin e këtyre kapaciteteve dhe çmimet në berza janë shumë të mëdha.

Ai tha se për këtë situatë nuk mund të fajësohet vetëm qeveria aktuale sepse ndryshimet më të mëdha në prodhimin e kapaciteteve prodhuese kanë ndodhur edhe në te kaluarën. “Por të paktën në qoftë se keni pasur një plan për të subvencionuar ngrohjen me energji elektrike ndoshta është dashur ta keni edhe një alternativë për rezervim të energjisë elektrike me çmime më të volitshme, në një periudhë kohore më afatgjate dhe të mos ballafaqohen qytetarët me reduktime”, tha ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat