Kryeshefi ekzekutiv i Operatorit të Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT), Evetar Zeqiri, ka sqaruar deklaratën që shkaktoi reagime të shumta në opinionin publik.
Ai kishte thënë se reduktimet e energjisë janë një pasojë e zhvillimit ekonomik, por theksoi se kjo deklaratë është nxjerrë nga konteksti.
Në sqarimin e tij, në FIVE të Dukagjinit Zeqiri bëri të ditur se referenca kryesore për deklaratën e tij ishte për komunat Ferizaj dhe Fushë Kosovë, të cilat po përjetojnë rritje të shpejtë urbane dhe ekonomike.
“Deklarata është nxjerrë nga konteksti. Sepse ajo iu ka referuar Ferizajt dhe Fushë Kosovës.
Është fakt notor që ka një rritje urbane e ekonomike në aty dy komuna. Dhe si rezultat i shtuar e kërkesës për energji elektrike ka pasur fyte të ngushta – kapacitet për të dërguar energjinë është i limituar aq sa kemi kapacitet të transformimit të energjisë. Për shembull Ferizaj, ku i kemi dy nënstacione aktive që kanë kapacitet 111 megavat ndërsa konsumi është 140 megavat, pra në mënyrë automatike kuptohet që duhet bërë reduktime”, ka sqaruar Zeqiri deklaratën e tij se ka reduktimet të rrymës shkaku i zhvillimit ekonomik”, ka thënë Zeqiri.
Zeqiri, pas një takimi me ministren e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, dhe përfaqësuesin e KEDS-it, Bujar Jupaj, gjatë së premtes, deklaroi se sistemi elektroenergjetik i Kosovës po përballet me një ngarkesë të jashtëzakonshme, për shkak të rritjes së kërkesës për energji.
Ai përmendi se zhvillimi ekonomik dhe elektrifikimi i ekonomive dhe bizneseve në vitet e fundit ka ndikuar në rritjen e kësaj kërkese.
“Si Operator i Sistemit të Transmetimit dëshirojmë të sqarojmë qytetarët, bizneset, mediat që Sistemi Elektroenergjetik është duke u përballur me ngarkesë të jashtëzakonshme, si rezultat i zhvillimit ekonomik, që ka ndodhur në vitet e fundit; si rezultat i elektrifikimit të ekonomive e bizneseve tona. Operatori i Sistemit të Transmisionit është duke bërë maksimumin e mundshëm, që të operojë në kapacitetet tona”, ka thënë Zeqiri në konferencën për media gjatë së premtes.