Koloneli i Forcave të Sigurisë së Kosovës në pension, Hyseni Gecaj ka thënë se veprimet e Policisë së Kosovës në veri të vendit, siç ishte rasti i fundit i mbylljes së një institucioni paralel janë të logjikshme, por ka kërkuar që gjithçka të bëhet në koordinim me faktorin ndërkombëtar.
Sipas tij edhe faktori ndërkombëtar kërkon që gjithçka të bëhet në koordinim me ta. “Secili intervenim që bëhet jashtë një koordinimi me KFOR-in mund të sjellë pasoja për Kosovën. Prandaj, edhe miqtë tanë ndërkombëtar vërejtjet na i kanë dhënë në këtë drejtim. Dihet se Serbia është faktor destabiliteti jo vetëm në Kosovë por në rajon në përgjithësi dhe është dorë e zgjatur e Rusisë dhe pikërisht ky element duhet të na bëjë të mendojmë mirë dhe të kemi koordinim në baza ditore me KFOR-in që të mos kemi ndonjë lëshim që mund të na dëmtojë”, ka theksuar Gecaj në një intervistë për magazinën “Lajmet e Fundit” në RTK.
Sa i përket paralajmërimeve të kryeministri Kurti se mund të organizohen sulme të reja para dhe gjatë festave të fundvitit nga grupe terroriste të mbështetura nga Serbia, ai ka thënë se ajo çfarë u dëgjua nga kryeministri ishte një përmbledhje e ngjarjeve.
“Puna e deklaratave për veriun është bërë sikur ai tregimi për bariun dhe ujkun. Dikur kjo e humb edhe kuptimin. Si duket politikanët tanë në përgjithësi, por edhe kjo qeveri, në kohën kur gjenden para zgjedhjeve shpikin tema dhe gjëra që shkojnë në favor të aspekteve politike për ta dhe nuk është se janë shumë serioz në raport me të gjithë qytetarët e vendit, sepse kur është fjala për mbrojtjen dhe sigurinë kjo nuk është çështje as e pozitës e as opozitës, por është çështje kombëtare”, ka thënë tutje ai.
Moscertifikimin e Listës Serbe ai e sheh si proces të vonuar. Sipas Gecajt, ky akt më shumë është përdorur për çështje politike, sesa ka pasur diçka reale në këtë ngjarje.
“Gjërat janë të qarta në ligj dhe dihet kur mund të largosh dikë nga gara zgjedhore në mënyrë arbitrare. Por ka pasur një mënyrë tjetër për këto katër vite, e që nuk është shfrytëzuar. Mendoj se është dashur në kuptimin e sigurisë të bëhet një dosje për Listën Serbe dhe ajo të argumentohet mirë deri në këtë fazë ku jemi dhe të dilet me atë propozim që Lista Serbe mbase të shpallet organizatë terroriste, sepse në atë listë ka edhe elementë terroristë dhe ka personalitete nga kjo listë që kanë marrë pjesë ose së paku e kanë mbështetur haptas Radojçiqin për aktet që i ka kryer”, ka shtuar Gecaj.
Sa i përket mundësisë së Vuçiq të organizojë ndonjë ekses në veri për të zhvendosur vëmendjen nga protestat masive në Beograd kundër regjimit të tij, ai ka thënë se nuk pret një gjë të tillë, pasi kjo sipas tij do të shënonte fundin e tij.
“Vuçiq nuk e ka punën aq mirë sa të shkaktojë një incident në veri sepse i dinë mirë pasojat për Serbinë. Dhe në një situatë ku ka një destabilitet politik çfarë e kemi parë këto ditë në Beegrad, ajo shkon në fakt në dëm të vet Vuçiqit, pasi do t’i jepte pretekst atyre forcave politike për ta shfrytëzuar atë moment për ta rrëzuar nga pushteti. Me një sjellje të tillë Vuçiq përfundimisht do t’ia përcaktonte vetes fundin politik të tij, mbase edhe me pasoja shumë të rënda për të, sepse ai është një diktator që për shumë vite i ka shqetësuar popujt përreth dhe vet qytetarët e Serbisë”, ka përfunduar Gecaj.