Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit paraqet rrezik për Kosovën e Ballkanin Perëndimor

Aktuale

Maqedonci: Grupi i Radoiçiqit paraqet rrezik për Kosovën e Ballkanin Perëndimor

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 08:31
Ejup Maqedonci

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rrezikun që paraqet grupi i Milan Radoiçiqit për territorin e Kosovës, përderisa është ende i lirë dhe operon brenda territorit të Republikës së Serbisë.

Në një intervistë për eo, Maqedonci ka thënë se vazhdimi i organizimit të tyre tregon rrezikun që ky grup paraqet jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Është theksuar edhe më herët jo vetëm nga kryeministri Kurti, por edhe nga unë, gjithashtu edhe nga drejtuesit e tjerë të dikastereve të sigurisë nga ministri i Punëve të Brendshme, Drejtori i Policisë, rreziku që paraqet fakti që grupi i Radoiçiqit dhe elementët ekstremist dhe terrorist përreth tij mbeten të lirë brenda territorit të Republikës së Serbisë, edhe më keq mbështeten nga strukturat e Republikës së Serbisë për të operuar dhe për të funksionuar pikërisht brenda territorit të Serbisë”, ka potencuar ministri.

Sipas ministrit Maqedonci ky grup paraqet rrezik dhe për Ballkanin Perëndimor.

“Fakti që ky grup vazhdon të mbetet i organizuar po dëshmon në vazhdimësi që paraqet rrezik për vendin tonë dhe jo vetëm, po për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka deklaruar Maqedonci.

Maqedonci tha se pas sulmit të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, grupi i Radoiçiqit ka vazhduar me sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit.

Sipas tij, këto sulme kanë shkaktuar pengesa për qytetarët që të kenë akses në shërbime esenciale, me qëllim destabilizimin e vendit.

“Kjo është parë qartazi edhe pas tentimit për aneksim të territorit tonë me 24 shtator të vitit 2023, ky grup ka vazhduar të funksionoi dhe të inkurajojë elementët e tij brenda territorit të Kosovës me sulm të tjera, normalisht që ka ndryshuar natyra e sulmit nga një tentativë për aneksim e është shndërruar në një format të veprimeve terroriste, siç ishte rasti i fundit, elemente të lidhur me këtë grup tentuan që të dëmtojnë shumë infrastrukturën kritike të vendit tonë duke u mohuar qytetarëve qasjen në shërbimet esenciale, duke shkaktuar krizë energjetike me qëllim të destabilizimit të vendit”, ka thënë ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat