Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë adresimit në edicionin e 7-të të Konferencës së Ambasadorëve, të organizuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës, ka vlerësuar rrugëtimin e vendit tonë si një histori suksesi, të ndërtuar mbi demokracinë, sundim të ligjit dhe aspirata të palëkundura për liri dhe drejtësi, por ka kërkuar nga përfaqësuesit e Kosovës jashtë vendit që të jenë sa më aktiv e të përkushtuar përballë narrativave propaganduese të Serbisë.
“Historia jonë është një histori suksesi. Historia e një demokracie e cila lulëzon përkundër sfidave të sigurisë. E rritjes ekonomike që pasqyron sundimin e ligjit dhe liritë qytetare e ekonomike. Dhe një populli i cili u çlirua përballë aparteidit dhe gjenocidit”, tha kryeministri.
Duke iu adresuar ambasadorëve të pranishëm, Kurti theksoi rëndësinë e diplomacisë aktive dhe angazhimit të vazhdueshëm me qytetarët e vendeve mikpritëse. Ai e përkufizoi rolin e diplomacisë jo vetëm si një mjet për të lidhur qeveritë, por edhe për të ndërvepruar me studentë, gazetarë, aktivistë dhe ndërmarrësit, duke forcuar lidhjet mes popujve e shteteve.
“Kurrë nuk ka qenë më e rëndësishme se sa tani diplomacia publike. Takimet dhe bisedat me studentë e gazetarë, aktivistë e ndërmarrës që i keni bërë sigurisht se kanë rritur e forcuar lidhjet mes shteteve e popujve tanë”, tha ai.
Kryeministri vuri theks të veçantë te roli i komunikimit në një botë të ndërlidhur dhe të orientuar nga rrjetet sociale. Ai theksoi se heshtja në këtë epokë mund të keqkuptohet dhe mund të krijojë hapësirë për propagandë dhe dezinformata.
“Jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe komunikimit të menjëhershëm e pandërprerë, andaj komunikimi është më i rëndësishëm se kurrë. Duhet të jeni gjithnjë e më aktiv dhe përherë të pranishëm. Heshtja mund të keqkuptohet e, për më keq, i lënë hapësirë edhe propagandës edhe dezinformatave”, theksoi shefi i ekzekutivit.
Duke iu referuar sfidave hibride dhe propagandës sistematike të Serbisë, me mbështetje të hapur nga Rusia, Kurti e përkufizoi betejën aktuale si një luftë narrativesh, ku koha dhe profesionalizmi janë armët kryesore.
“Serbia vazhdimisht përdor propagandën dhe dezinformatat si armë të politikës së saj të jashtme. Me mbështetje të hapur nga Rusia, ajo ka ngritur një rrjet narrativash të rreme që synojnë të dëmtojnë shtetin tonë dhe të pengojnë përparimin tonë drejt integrimeve evropiane dhe euroatlantike”, tha ai.
Kurti u bëri thirrje ambasadorëve që të veprojnë me vendosmëri dhe qartësi, duke ofruar të vërtetën si kundërargument ndaj çdo genjeshtre të Serbisë. “Për secilën genjeshtër që shpërndan Serbia apo elementet e saj, ne duhet t’i kemi të gatshme të vërtetat tona”, tha Kurti.
Ai nënvizoi se përhapja e së vërtetës duhet të jetë një proces i shpejtë dhe i organizuar. Ai theksoi se e vërteta është gjithmonë në favorin e Kosovës, por ajo duhet të prezantohet në kohën e duhur dhe në formatin e duhur.
“Çdo ngjarje, çdo reformë dhe çdo hap përpara që bëjmë duhet të bëhet i njohur menjëherë, sepse nuk mund të presim që e vërteta të dalë vetvetiu, spontanisht. Ju duhet të kujdeseni që ajo të dëgjohet dhe të mbërrijë aty ku duhet”, shtoi ai.
Kurti tha se Kosova është një shtet ende i ri për shumicën e vendeve ku shërbejnë ambasadorët, e që po ndërton e formëson pozitën e saj në skenën ndërkombëtare.
“Avancimi i pozitës tonë, varet nga përkushtimi i secilës dhe secilit prej nesh, puna juaj prandaj nuk është thjesht përfaqësim, por angazhim në fuqizimin e pozitës sonë. Promovimi i interesave ekonimike, të sigurisë dhe politikës së jashtme janë detyra juaj parësore, kurse demokracia, sundimi i ligjit, liria e shprehjes dhe të drejtat e njeriut janë parimet dhe të drejtat themelore që duhet të shërbejnë si udhërrëfyes për punën tuaj dhe të gjithë neve”, nënvizoi Kurti.