Rizvanolli: Gënjeshtër se pajisjet efiçiente shkaktuan mbingarkesë në rrjetin elektrik

Aktuale

Rizvanolli: Gënjeshtër se pajisjet efiçiente shkaktuan mbingarkesë në rrjetin elektrik

Më: 28 dhjetor 2024 Në ora: 21:20
Artane Rizvanolli

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka demantuar pretendimet se kinse masat e subvencionimit te pajisjeve efiçiente të ngrohjes kanë ndikuar, ose edhe shkaktuar rritjen e konsumit të energjisë dhe mbingarkesën në rrjetin e furnizimit.

Rizvanolli, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se kjo është një gënjeshtër që nuk ka bazë as teorike, e as empirike.

“Vetëm familjet që kanë qenë duke u ngrohur me energji elektrike dhe nuk kanë qasje në ngrohje qendrore/kolektive, kanë pasur të drejtë të përfitojnë subvencion për pompë termike ose klimë efiçiente. Nëse pajisjet joefiçiente zëvendësohen me pajisje efiçiente, teorikisht, natyrisht që konsumi ulet”, ka shkruar Rizvanolli.

Ministrja u shpreh se në bazë të të dhënave empirike, përfituesit kanë ulur konsumin e energjisë elektrike për mesatarisht 19 për qind në dimrin pasues, dhe kanë kursyer 27 milionë kilovatorë, apo 5 milionë euro.

“Është e frikshme se si një dezinformatë që u nis si propagandë e dobët nga disa deputetë para disa muajsh, u riciklua nëpër studio televizive e në shtyp, me sa duket pa marrë mundin askush që së paku të analizojë kriteret e thirrjes apo të konsultojë ndonjë ekspert të fushës”, ka shkruar Rizvanolli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat