Në katër komunat veriore institucionet e sigurisë kanë rritur vigjilencën duke shtuar numrin e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës të cilët nga data 29-nëntor kur u sulmua kanali kryesor i Ibër-Lepencint në Zubin Potok. Njohësit e sigurisë thonë se ky vendim është i qëlluar pasi që ka tendencë nga grupet kriminale që mund të kryejnë sulme përsëri.
Në çdo rrugë shihen duke u kujdesur për sigurinë.
Kështu njësi të ndryshme të Policisë së Kosovës po e vëzhgojnë situatën nga afër në katër komunat veriore.
Ky mobilizim në terren erdhi pas sulmit terrorist të 29-nëntorit në kanalin e Ibër-Lepencit në Varage të Zubin Potokut.
Njohësi i sigurisë Burim Ramadani ka thënë se Policia e Kosovës ka marrë një vendim të duhur pasi që sipas tij grupe të strukturave paralele serbe mund të kryejnë sulme përsëri.
“Është jashtëzakonisht e nevojshme që vlerësimet e sigurisë të cilat nga institucionet e sigurisë janë edhe profesionale edhe të bazuara në fakte. Që prezenca e Policisë të jetë e rregullt e vazhdueshme dhe të siguroj ambientin e qetë dhe të sigurt jo vetëm për institucionet por mbi të gjitha për qytetarët e asaj pjese”, thotë Ramadani.
Por, Ramadani thekson nevojën për koordinim me partnerët për secilin veprim të institucioneve.
“Është e vlefshme që secili aspekt i sigurisë të mirëmbahet në partneritet me prezencën ndërkombëtare ushtarake respektivisht me NATO-në, KFOR-in në mënyrë që edhe efekti të jetë i shumëfishuar edhe bashkëpunimi diplomatik të rritet” , vlerëson ai.
Edhe njohësi i sigurisë, Nuredin Ibishi thotë se pas paralajmërimeve për sulme të mundshme, prezenca e zyrtarëve policorë në veri është e nevojshme.
“Përfoljeve, paralajmërimeve për sulme të mundshme, mendoj që policia duhet të jetë prezentë gjithsesi edhe ajo bëhet në mënyrë të planifikuar në bazë të vlerësimeve paraprake. Edhe ajo normal përfshinë aspektin ditor por edhe kohën e natës pasi që kemi dikund 15 raste që kanë ndodhur nga qershori deri tani”, thotë Ibishi.
Ditë më parë kryeministri i vendit, Albin Kurti paralajmëroi se para vitit të ri dhe pas mund të ketë sulme të tjera në katër komunat veriore nga strukturat kriminale serbe.