Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Donika Gërvalla në një postim përmbledhës në facebook, ka treguar për të gjitha ‘akuzat’ që janë bërë në drejtim të saj.
Ajo shkruan se qysh nga pamja fizike që është përqeshur, ajo është akuzuar për lloj-lloj gjëra të tjera.
Gërvalla shkruan së fundi është përqeshur për hundën e saj, por që thotë se është e kënaqur pasi i thonë që e ka hundën e babait të saj.
Gërvalla përmend edhe rastin kur u tha që ajo është kundër UҪK-së, që është dëshmitare në Hagë e më pas që edhe punësoi vajzën e saj në MPJD.
Ajo shkruan se ka një pagë që në Gjermani paguhej 8-9 herë më tepër, por për të është nderi më më i madh që t’i shërbej vendit të vetë, që nuk ka pagë që do t’ia kompensonte atë.
Postimi i plotë:
E vërteta gjithnjë e mund gënjeshtrën
Fushata personale kundër meje paska arritur sot dimensione të reja groteske. Gënjeshtrat janë të reja, por avazi është i vjetër.
Tash radha i paska ardhur hundës sime. Ka pafundësisht njerëz që kanë hundë më të bukur dhe më estetike se unë. Por shijet janë të ndryshme dhe me këtë hundë që kam, jam e kënaqur. Aq më tepër që më thonë që kam hundën e babait tim.
1.
Në vitin 2021, për ta dëmtuar figurën dhe punën time, duke rrezikuar jo vetëm integritetin, por edhe sigurinë time, u përpoqën të bindnin qytetarët e Kosovës që unë qenkam kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. E vërteta dhe dëshmitarët kryesorë të kohës së luftës i demantuan. Gënjeshtra dështoi, përkrahja u rrit.
2.
Kur nuk piu ujë kjo, u çuan e thanë që qenkam dëshmitare në Hagë. Por e vërteta i demantoi keq. Gënjeshtra dështoi, përkrahja u rrit edhe më shumë.
3.
Po atë vit pretenduan që e paskam punësuar në MPJD vajzën time atëherë 14-vjeçare. Kjo gënjeshtër nuk pati nevojë për demantim. Pretendimi ishte jo vetëm i pavërtetë, por edhe absurd në vetvete. Gënjeshtra dështoi, përkrahja u rrit edhe shumë më shumë.
Më pas u tha që burri im, Stefan Schëarz, qenka antishqiptar, aset rus, serb apo islamist. Ju kujtohet si bërtiste në Kuvend Abelard Tahiri, i cili ende nuk na ka treguar se për çfarë i pat blerë shurdhuesit: Shvarc, Shvarc, Shvaaaarc dhe rrihte tavolinën? Edhe kjo u demantua nga e vërteta, sepse qindra mijëra shqiptarë në Gjermani kanë pasur mundësi ta shohin dhe dëgjojnë Stefanin tim jo vetëm nëpër televizionet gjermane, por edhe në protestat tona masive në Bonn.
4.
Thanë, është e etur për lekë dhe paska ardhur në Kosovë të pasurohet. U demantuan nga e vërteta dhe shumë prej atyre që përgjatë viteve iu kam ndihmuar në Gjermani kudo që kam pasur mundësi. Pagën e kam pasur vërtet 8-9 herë më të lartë në Gjermani, por t’i shërbej vendit tim si Ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës është privilegji dhe nderi më i madh i jetës sime, të cilin nuk ka pagë në botë që mund të ma kompensojë.
5.
Në foton me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s asnjëherë nuk pyetën për mesazhin e tij, por u morën me këpucët që pata veshur atë ditë. Jo rrallë më tallën për flokët dhe veshjen time, mimikën apo të folurit. Vërtet ka njerëz në Kosovë që dinë të vishen me shumë më shumë shije se unë, por kam kaluar një jetë të tërë në Gjermani dhe jam nisur gjithnjë, ashtu si edhe koleget e mia, nga parimi se ministri duhet të punojë shumë e jo të bëjë paradë mode. Por dhe kjo dështoi dhe përkrahja vazhdoi të rritet.
6.
Nuk lanë ditë pa shkruar që e paskam dështuar politikën e jashtme të Kosovës, mirëpo edhe këtu u demantuan nga qytetarët, të cilët në sondazhin e njohur amerikan thanë se pas luftimit të korrupsionit, përmirësimi i imazhit të Kosovës në arenën ndërkombëtare është arritja më e madhe e qeverisë sonë.
7.
Thanë që paskam rregulluar dhëmbët me paratë e taksapaguesve. Edhe kjo gënjeshtër. E vërtetë është që për arsye mjekësore, por edhe estetike, kam pasur ndërhyrje te dhëmbët, të cilën e kam paguar ekskluzivisht me kursimet e familjes sime.
8.
Thanë se kam mashtruar dhe kam fshehur pasurinë, nuk lanë gjë pa thënë për tri vite dhe më ngritën madje edhe aktakuzë. Gjykata e hodhi poshtë dhe u deklarua se nuk ka as bazën më të vogël të veprës penale. Por harrova, ky nuk ishte lajm që ia vlente të publikohej.
9.
Çdo javë deklaronin që pritet shkarkimi im i menjëhershëm, dhe ja ku jemi sot. Koalicioni i parë qeveritar që nga pavarësia që përmbyll me sukses mandatin 4-vjeçar, me një përkrahje të fuqishme qytetare edhe tani në përmbyllje të mandatit tonë.
10.
Nuk u lodhën së deklaruari që reformat e thella në Ministrinë e Punëve të Jashtme na qenkan të jashtëligjshme, që largimet madje edhe të atyre drejtorëve të MPJD-së, të cilët nuk flasin asnjë gjuhë të huaj, qenkan arbitrare. Mirëpo edhe këtu i demantoi e vërteta. Me ndonjë përjashtim tepër të rrallë, të gjitha vendimet e mia në kuadër të reformës janë konfirmuar edhe nga KPMSHC, edhe nga vendimet e deritanishme të gjykatave.
Këtë listë do të mund ta vazhdoja pafundësisht, sepse fantazia e sëmurë e atyre që gjithçka janë, por gazetarë nuk janë, është e pafund.
Dy gjëra mësojmë nga ky rrëfim: Së pari, që gënjeshtrat i kanë këmbët e shkurtra dhe nuk pijnë ujë, ndërsa së dyti, që nuk mund të kenë sukses sulmet, fushatat dhe hedhja me baltë në mungesë të një kritike të mirëfilltë dhe konstruktive.
Ata që gjithçka tjetër janë e vetëm gazetarë nuk janë, i lus të vazhdojnë me këtë sjellje dhe këtë agresivitet ndaj meje. Është komplimenti më i madh që këta persona mund të ma japin për 4 vite të punës sime në krye të Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës.
Ndërsa fotografin Elton Kastrati po e falënderoj nga zemra për këtë foto shumë të bukur, e vetëdijshme që nuk jam personi më i lehtë për t’u fotografuar 🙂