Ish-prokurori Elez Blakaj ka deklaruar se gjatë vitit 2024 puna dhe rezultatet në sistemin prokurorial dhe gjyqësor të Kosovës vazhdojnë të jenë larg pritshmërive të qytetarëve.
Në një postim në Facebook, Blakaj theksoi se integriteti është kushti themelor për një sistem drejtësie të pavarur dhe të paanshëm.
“Vlerësimet dhe meritat për punën e mirë identifikohen me ata prokurorë dhe gjyqtarë me integritet, të cilët nuk janë të ndikueshëm nga politika, interesat klanore dhe biznesore, dhe nuk marrin urdhra nga askush,” shkroi Blakaj, duke theksuar se ata duhet të jenë të aftë profesionalisht dhe të kryejnë punën në mënyrë të pavarur.
Në anën tjetër, Blakaj shprehu shqetësim për vendimet gjyqësore, të cilat për disa raste nuk kanë bindur as qytetarët dhe as të dëmtuarit, duke nxitur reagime negative ndaj sistemit të drejtësisë. Ai theksoi se sjelljet e subjekteve procedurale në seanca gjyqësore, mosrespektimi i afateve dhe arroganca gjatë procedurës po minojnë besimin e qytetarëve në pavarësinë e gjyqësorit.
Blakaj përmendi se vendimet gjyqësore shpeshherë merren “Në Emër të Popullit”, duke kritikuar se, pavarësisht sjelljeve të papranueshme të disa prokurorëve dhe gjyqtarëve, ata mbajnë emra dhe uniforma pa plotësuar kriteret e detyrës që u është besuar.
Ai përmendi se, nëse Kosova do të kishte një sistem përzgjedhjeje të prokurorëve dhe gjyqtarëve siç është rasti në shumicën e shteteve të SHBA-së, nuk do të ishte nevoja për një proces të vetting-ut.
Sipas Blakajt, qytetarët do të kishin mundësinë të mos rizgjedhin ata që përdorin drejtësinë për përfitime personale.
Blakaj përfundoi postimin duke theksuar se zgjidhja për përmirësimin e sistemit është reforma.