Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka shprehur shqetësimin për marrëdhëniet e dobëta me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian, duke theksuar se pa ndihmën e tyre, liria e Kosovës mund të ishte shumë më e vështirë për t’u arritur.
Në organizimin e kreut të AAK-së, Ramush Haradinaj, për pritjen e veteranëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Ahmeti, ka theksuar rëndësinë e sakrificave të veteranëve për lirinë e Kosovës dhe ka apeluar për unitet të mëtejshëm.
Ai ka theksuar se ata janë fitimtarët që dhanë gjithçka për atdheun dhe se obligimi i të gjallëve është të nderojnë dhe kujtojnë ata që ranë në luftë.
“Ju më të merituarit e UCK-së, ju fitimtarët që i dhatë gjymtyrët atdheut por të mbijetuar nderoni të gjithë të rënit kujtoni buzëqeshjen që akoma ajo buzëqeshje reflekton mbi Kosovën, të Luan Haradinaj, e komandanti legjendar Adem Jashari, ju jemi klasa më e lartë e sakrificës e angazhimeve që Kosova sot është shtet por ama misione ende nuk kanë mbaruar, nëse doni të zgjeronin tokat e Serbisë ngushtoni hapësirat e shqiptarëve, më shumë se sot na duhet uniteti të jemi krahë i njëri-tjetrit”, ka thënë Ahmeti.
Ai ka apeluar për më shumë angazhim dhe veprim të përbashkët, duke shtuar se duhet të vazhdohet me proceset që çojnë në anëtarësimin e Kosovës në NATO dhe BE, për të siguruar paqen dhe sovranitetin në vend.
“Nuk më vjen mirë që marrëdhëniet janë aq të ftohta me Amerikën dhe Evropën sepse pa ndihmën e tyre ne shumë vështirë do e kishim, ne lirinë e fituam dhe lamë me gjak por bashkë me aleatët e çliruam Kosovën. Nuk më vjen mirë që gjuha shqipe nuk është gjuha zyrtare në Maqedoni, që për atë gjuhë ata kanë derdhur gjakun. Na duhet akoma vendim e veprim i përbashkët, i kemi ngritur bashkë të gjitha ushtritë e proceset. Ti shpiem bashkë deri ën anëtarësimin e Kosovës në NATO, e në Bashkimin Evropian dhe të jetojmë të lirë në paqe dhe në sovranitet”, ka theksuar ai.