Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar t’i përgjigjet thirrjes së Prokurorisë Speciale për t’u intervistuar si dëshmitar në lidhje me rastin e rezervave shtetërore.
Në emision "Rrjedha" me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin të dielën, Kurti akuzoi kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn, se po inskenon një situatë me qëllim që hyrja e tij në objektin e Prokurorisë të bëhet lajm ndërkombëtar.
“Ky prokuror, Blerim Isufaj, është regjisori i një pamjeje ku unë hyj në Prokurorinë e Shtetit dhe prodhohet një lajm ndërkombëtar që kryeministri po intervistohet për një rast korrupsioni. Aty nuk thuhet që jam thirrur si dëshmitar. Ky është qëllimi i tyre”, ka deklaruar Kurti.
Kryeministri ka potencuar se nuk ndien asnjë detyrim për t’iu përgjigjur ftesës dhe se prokurorët mund të vijnë në zyrën e tij për ta intervistuar.
Ai ka theksuar se prokurorët po përpiqen të sulmojnë kabinetin e tij qeveritar dhe ministrat.
“Këta po dëshirojnë të bëjnë diçka të ngjashme por më të butë se s’munden tashmë, sikur me Hashim Rexhepin që e nxorën me duar lidh prej BQK-së. Ua kanë mësy krejt ministrave tonë. Ata prokurorët kanë ardh në kryeministri dhe më herët, unë guxoj t’iu them s’po vijë, ta shohim tash a guxojnë ata të vijnë”, ka shtuar Kurti.
Prokuroria Speciale ka konfirmuar se i ka dërguar dy ftesa Kryeministrit për intervistim në cilësinë e dëshmitarit. Ndërkohë, kabineti i kryeministrit ka ritheksuar gatishmërinë e tij që t’i mirëpresë prokurorët në zyrën e tij.