Kryeprokurori Blerim Isufaj jep detaje për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2024 – flet edhe për ftesën ndaj Kurtit

Aktuale

Kryeprokurori Blerim Isufaj jep detaje për punën e Prokurorisë Speciale gjatë vitit 2024 – flet edhe për ftesën ndaj Kurtit

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 07:09 Përditësuar në ora: 13:57 më 30.12.2024
Kryeprokurori Blerim Isufaj

Kryeprokurori thotë se s’ka informacione që dikush ndonjëherë është intervistuar në zyrë të kryeministrit

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thënë se nuk ka informacione nëse dikush është intervistuar ndonjëherë në Zyrën e Kryeministrit.

“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë por unë nuk e di.

Të paktën përderisa unë po bëhen 5 vite që jam kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla s’kemi pasur”, tha ai.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu kishte thënë se presin një përgjigje pozitive “meqë – sipas praktikës – kjo nuk do të ishte hera e parë që një Kryeministër intervistohet brenda Zyrës së tij dhe i mirëpresim në Kryeministri”.

Kryeprokurori i kundërpërgjigjet Kurtit: Do luftojmë kundër gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pavarësisht pozitës që kanë

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, në një konferencë për media është pyetur rreth refuzimit të kryeministrit Kurti për të shkuar në Prokurorinë Speciale për të dhënë dëshmi.

Ai ka thënë se ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës.

Isufaj shtoi se ftesa për të dëshmuar është procedurë ligjore dhe cdo person që ftohet ka përgjegjësi ligjore të bashkëpunojë me institucionet e drejtësisë.

“Ligji është i njëjtë për të gjithë qytetarët e Kosovës përfshirë edhe për zyrtarët e lartë shtetërorë. Ftesa për dhënie dëshmie është procedurë e rregullt dhe çdo person që ftohet ka përgjegjësi  ligjore të bashkëpunojë me institucionin e drejtësisë, prandaj ju bëj thirrje të gjitha institucioneve publike përfshirë Qeverinë që të tregojnë përkushtim ndaj sundimit të ligjit dhe të shmangin retorikën që synon politizimin e drejtësisë. Nuk jam këtu për të komentuar deklaratat e askujt se fare nuk më interesojnë, po flas për atë që unë e ndij dhe që mendoj se duhet bërë”, tha ai.

Ai tha se Sistemi Prokurorial dhe Sistemi gjyqësor nuk janë për të bërë skenarë.

“Ne punën tonë e kemi të përcaktuar me ligj dhe Kushtetutë dhe nuk bëjmë dallime as për nga pozita as për nga emri”, tha ai.

Isufaj tha se nuk ka informacione që dikush është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit.

“Unë nuk kam informacione nëse ndokush ndonjëherë është intervistuar në Zyrën e Kryeministrit, ndoshta edhe mund të ketë por unë nuk e di. Të paktën përderisa unë po bëhen 5 vite që jam kryeprokuror i kësaj prokurorie situata të tilla s’kemi pasur”, tha ai.

Prokuroria Speciale: Në vitin 2024 janë shënjestruar 8 raste të reja dhe janë ngritur 9 aktakuza dhe janë ngrirë rreth 30 milionë euro

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka njoftuar se gjatë vitit 2024 janë shënjestruar 8 raste të reja dhe janë ngritur 9 aktakuza.

Gjatë një konference për media, Isufaj theksoi se viti që po lëmë pas ka qenë shumë i rëndësishëm dhe me arritje të konsiderueshme për Prokurorinë Speciale.

Ai po ashtu tha se: “Një punë e mirë që është bërë këtë vit janë dhe punët e shënjestruara. 8 raste të reja kemi shënjestruar në vitin 2024, ndërsa janë ngritur 9 aktakuza. Që nga fillimi i shenjëstrimit deri tani janë shënjestruar 97 raste të korrupsionit dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.

Kryeprokurori tregoi dhe disa statistika për shumat e ngrira, të sekuestruara dhe të konfiskuara.

“Statistikat tregojnë se lidhur me këto raste është bërë dhe po bëhet një punë e jashtëzakonshme dhe në kuadër të kësaj janë ngrirë rreth 30 milionë e 336 mijë euro, janë sekuestruar rreth 41 milionë, konfiskuar rreth 5 milionë euro…”, ka thënë Isufaj. 

Kryeprokurori Isufaj: Kemi ngritur akuza në raste të profilit të lartë, raste të tjera janë në proces

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj tha se kanë qenë të “palëkundur” në punën e bërë këtë vit.

Duke folur për punën e Prokurorisë, ai foli për angazhimin e këtij organi të ndjekjes.

Bashkëpunimi me partnerë ndërkombëtarë, Isufaj tha se “ka qenë një shtyllë themelore” në punën e Prokurorisë Speciale sivjet.

Isufaj kujtoi se gjatë këtij viti u ndoqën me akuza raste të profilit të lartë, ndërsa paralajmëroi se raste të tjera janë “në proces”.

“Gjatë këtij viti kemi ngritur akuza në disa raste të profilit të lartë, duke dëshmuar që askush nuk është mbi ligjin dhe njëkohësisht kemi në proces edhe raste të tjera të nivelit të tillë të cilat janë duke u trajtuar me profesionalizëm dhe seriozitet të lartë”, tha kryeprokurori i Speciales.

Ai tha se synimi i Prokurorisë Speciale është promovimi i barazisë para ligjit dhe të sigurojnë që “secili qytetar i Kosovës të ndihet i barabartë para ligjit”.

“Puna jonë këtë vit ka qenë në harmoni me prioritetet e shprehura në raportet dhe rekomandimet ndërkombëtare”, tha Isufaj.

Për vitin e ardhshëm, Isufaj përmendi synime dhe objektiva “të qarta” për ndjekjen penale të rasteve të krimit të organizuar, korrupsionit, krimeve të luftës dhe terrorizmit “duke përfshirë hetime proaktive dhe bashkëpunim ndërinstitucional më të efektshëm”.

Kryeprokurori i Speciales premtoi luftë “të pakomromis” ndaj “të gjithë atyre që bien ndesh me ligjin, pa dallim, pa marrë parasysh pozitën, rolin që kanë në pushtet apo jashtë tij”.

Kryeprokurori Blerim Isufaj thërret konferencë për media

Kryeprokruroi i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, ka thirrur për sot konferencë për media në orën 13:00. Isufaj nuk e ka bërë të ditur arsyen e thirrjes së konferencës.

Konferenca do të mbahet në sallën në katin e III, në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj në Prishtinë.

Komunikata e plotë:

Ju njoftojmë se të hënën, 30 dhjetor 2024, duke filluar nga ora 13:00, Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, z. Blerim Isufaj, do të mbajë konferencë për media. 

Konferenca do të mbahet në sallën në katin e III, në objektin e Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Rr. Luan Haradinaj, Prishtinë.

Ftohen përfaqësuesit e interesuar të mjeteve të informimit publik që ta përcjellin këtë ngjarje!

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat