Kryeministri Albin Kurti, në një intervistë televizive, ka folur edhe për raportet me Edi Ramën. I pyetur se pse nuk ia kthen sulmet atij, Kurti ka thënë se nëse ndalen sulmet ndaj tij, atëherë rrëzohet.
”Unë e kam një…e them me gjysëm hajgare…njëra palë me ma nalë sulmin unë rrëzona”, ka thënë ai në Podcastin “Publikja”, me Rron Gjinovcin dhe Shkëlzen Gashin.
Ndryshe, Kurti ka komentuar edhe rreth propozimit të Ramës që Kosova t’i zbatojë obligimet e dialogut njëanshëm ose në koordinim me Perëndimin. Kurti ka thënë se këtë do ta bënte nëse shtetet përëndimore do ta cilësonin Serbinë si një shtet ‘rogue’ si Bjellorusia me të cilin nuk komunikojnë.
Duke folur për deklaratat e Ambasadorit amerikan Christopher Hill që tha se Amerika nuk po e sheh një lidhje të Serbisë me sulmin në Ibër-Lepenc, Kurti ka thënë se nuk pajtohet.
“Unë e kam përcjellë deklaratën e ambasadorit Hill. Lidhjet e Serbisë me Rusinë janë shumë më të thella e të gjera sa që ai i konsideron. Depërtimi i Rusisë në dekadën e fundit në inteligjencën në Serbi, në Ushtri, në Polici, Akademi, media, është shumë i madh…Kam përshtypjen se ambasadori Hill ka besuar se nëpërmjet presidentit Vuçiq mund ta shkëpusë Serbinë nga Rusia. Unë se kam besuar asnjëherë këtë. E mbaj në mend në pranverën e vitit 2022 thoshte vetëm sa mbahen zgjedhjet në Serbi dhe situata ndryshon. Tash jemi afër prillit të vitit 2025, s’ka ndryshim. Sigurisht ambasadori Hill do të largohet e Serbinë do ta kemi në gjendje më të keqe se sa kur e ka gjetur Serbinë kur erdhi”, tha Kurti.