Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti, kanë shprehur ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jimmy Carter.
Presidentja Osmani tha se presidenti Carter i tregoi botës se lidershipi është mbi të gjitha përkushtim, dhembshuri dhe besim i palëkundur te njerëzimi.
“Presidenti Carter i tregoi botës se udhëheqja ka të bëjë me shërbimin, dhembshurinë dhe një besim të palëkundur te njerëzimi. Ai ia kushtoi jetën paqes, barazisë dhe përmirësimit të të gjithëve. Ne e mbajmë familjen e tij në mendimet tona ndërsa bashkohemi me miqtë tanë amerikanë për të nderuar trashëgiminë e tij”, ka shkruar Osmani në X.
Edhe kryeministri Kurti duke i shprehur ngushëllime familjes dhe popullit amerikan në emër të qeverisë, tha se presidenti Carter lë pas një trashëgimi madhështore të shërbimit për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe përtej.
“Në emër të Qeverisë dhe popullit të Republikës së Kosovës, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes së presidentit Jimmy Carter dhe popullit amerikan për ditën e ndarjes nga jeta. Një shekull pas fillimeve të tij modeste në një familje të klasës punëtore në Plains, Georgia, Presidenti Carter i lë botës një trashëgimi të madhe shërbimi për të drejtat e njeriut dhe prosperitetin në Shtetet e Bashkuara dhe më gjerë. U preftë në paqe”, ka shkruar Kurti në X.
Ish-presidenti amerikan dhe fituesi i çmimit Nobel për Paqe, Jimmy Carter vdiq në moshën 100-vjeçare, njoftuan mediat amerikane.
Demokrati Carter shërbeu si presidenti i 39-të i SHBA nga 1977 deri në 1981.