Çitaku – Kurtit: Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, pavarësia e Kosovës është e lidhur me Hashim Thaçin

Aktuale

Çitaku – Kurtit: Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, pavarësia e Kosovës është e lidhur me Hashim Thaçin

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 10:27
Vlora Çitaku

Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar kryeministrit Albin Kurti, pas deklaratave të tij në një intervistë që u publikua dje, ku e përmendi ish presidentin, Hashim Thaçi.

Çitaku i ka kërkuar Kurtit të çlirohet nga mllefi dhe urrejtja, duke i thënë se populli nuk të zgjodhi për të ndarë fajtorë apo për të ushqyer urrejtje, por për të dhënë zgjidhje dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Postimi i plotë:

Albin,

E fitove një mandat të fuqishëm që askush tjetër nuk e ka pasur në historinë e Kosovës. Një mandat që nuk të kërkonte as kompromise me partnerë të koalicionit, as zmbrapsje përballë presioneve politike. Por, përkundër kësaj, qeverisja jote ka qenë pa rezultate.

Mbrëmë zgjodhe sërish të sulmosh Hashim Thaçin. Keqardhje për ty. Historia nuk rishkruhet as me fjalë, as me urrejtje. Ushtria e Kosovës e ka gjenezën në UÇK-në, TMK-në dhe FSK-në. Në të gjitha këto faza të transformimit, ti ke qenë një vrojtues destruktiv ose pasiv.

Pavarësia e Kosovës është e lidhur pashmangshëm me Hashim Thaçin, me të gjitha sukseset dhe sfidat që e shoqëruan atë proces.

Por ti, Albin, çfarë ke bërë?

Pse nuk shkrove historinë tënde? Pse nuk e bëre Kosovën anëtare të Këshillit të Evropës, të NATO-s, apo të organizatave të tjera ndërkombëtare që i sigurojnë vendit përparim dhe stabilitet?

Sot, Kosova është në terr, pa rrymë, e izoluar dhe e përjashtuar. Populli nuk të zgjodhi për të ndarë fajtorë apo për të ushqyer urrejtje, por për të dhënë zgjidhje dhe për të ndërtuar të ardhmen.

Çlirohu nga mllefi dhe urrejtja, Albin. Kjo të bën mirë – dhe do t’i bëjë mirë edhe Kosovës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat