Gruda kritikon sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale: Ka frikë nga zbulimi i korrupsionit

Aktuale

Gruda kritikon sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë Speciale: Ka frikë nga zbulimi i korrupsionit

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 12:23
Perparim Gruda

Kandidati për deputet nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Perparim Gruda, ka reaguar ndaj sulmeve të kryeministrit Albin Kurti ndaj Prokurorisë Speciale, duke e cilësuar këtë si një tregues të qartë të dështimit të plotë të Kurtit në realizimin e reformave të premtuara.

Gruda ka theksuar se sulmet ndaj institucioneve të drejtësisë, tregojnë gjithashtu frikën e Kurtit nga mundësia e zbulimit të korrupsionit endemik brenda qeverisë.

“Sulmet e Kurtit ndaj Prokurorisë së Shtetit janë një tregues i qartë i dështimit të tij të plotë në realizimin e reformave të premtuara dhe i frikës nga zbulimi i korrupsionit endemik qeveritar, siç konstatohet edhe në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit.

Kurti përsëriti mbrëmë premtimet e para katër viteve për reformimin e sistemit të drejtësisë, duke harruar se është në fund të mandatit. Tani ai duhet të fliste për realizimin e tyre, e jo t’i përsëriste ato.

Pse nuk e bëre padinë për gjenocid ndaj Serbisë, siç e ke premtuar në programin e qeverisë? Apo edhe këtu të pengon Prokuroria e Kosovës?

Të jesh kryeministër dhe të sulmosh në këtë mënyrë rendin ligjor dhe organet e drejtësisë të vendit tënd nuk është trimëri, por qyqarllëk”, ka shkruar Gruda në Facebook.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat