Shërbimi Korrektues i Kosovës ka pranuar sot donacion e radhës nga EULEX. Në ceremoninë zyrtare të organizuar për këtë rast, drejtori i përgjithshëm i SHKK-së, Ismail Dibrani, së bashku me udhëheqësin e shtyllës së monitorimit të EULEX-it, Giovanni Galzignato, dhe shefen e Njësisë Korrektuese të EULEX-it, Anu Melkko, nënshkruan marrëveshjen për pranim-dorëzimin e këtij donacioni.
Donacioni i konsideruar si më i madhi deri më tani për SHKK-në, përfshin pajisje moderne, duke përfshirë: një veturë, një gjenerator, 293 kompjuterë dhe laptopë, si dhe pajisje të tjera teknologjike, si skanerë, printerë, telefona, radio-lidhje dhe inventarë për zyrë.
Gjatë fjalës së tij, Dibrani shprehu falënderime ndaj EULEX-it për këtë mbështetje të jashtëzakonshme, duke theksuar se donacioni do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të punës dhe modernizimin e pajisjeve teknike.
“Kjo ndihmë do të kontribuojë në avancimin e standardeve dhe efikasitetit të institucioneve tona korrektuese,” tha ai.
Nga ana tjetër, Galzignato dhe Melkko vlerësuan rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional, duke theksuar se ky donacion është një pasqyrë e angazhimit të EULEX-it për të mbështetur Shërbimin Korrektues të Kosovës në përmbushjen e standardeve ndërkombëtare.
Sipas njoftimit, ky moment shënon një hap të madh drejt modernizimit dhe forcimit të kapaciteteve të SHKK-së, duke theksuar rolin e rëndësishëm të partnerëve ndërkombëtarë në zhvillimin e institucioneve tona korrektuese.