Kurti: Ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës, si vit në të cilën është arritur 10 miliardëshi

Aktuale

Kurti: Ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës, si vit në të cilën është arritur 10 miliardëshi

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 13:03
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se këtë vit, krahasuar me vitin 2021, ekonomia vendëse është rritur për rreth 30 për qind.

Në konferencën vjetore, ku u shpalos mbështetja e bizneseve gjatë vitit 2024 dhe planet për vitin 2025, Kurti foli për arritjet gjatë qeverisjes së tij.

“Trendet e viteve të fundit të rritjes ekonomike na dëshmojnë se nga përpjekjet tona të përbashkëta vendi ynë ka treguar një rritje mesatare prej 6.6 për qind të BPV në këto katër vite. Kemi dyfishim të eksporteve, përmirësim të ndjeshëm të raporteve eksport-import prej 1 me 9 në rreth 1 me 6. Kemi edhe dyfishim të investimeve të huaja, me ç’rast mesatarja e investimeve të huaja është 664 milionë euro, ose dy herë më e lartë se mesatarja vjetore e periudhës 207-202”, tha ai.

Kurti tha se ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilën është arritur 10 miliardshi.

“Në përgjithësi ekonomia e Kosovës është rritur dhe ky vit do të hyjë në historinë ekonomike të Kosovës si vit në të cilën është arritur 10 miliardshi. Sivjet krahasuar me vitin 2021, kemi një rritje të ekonomisë së vendit tonë për rreth 30 për qind. Ne jemi përpjekur që këtë rritje ta ndajmë me kategoritë që më së shumti kanë nevojë si: fëmijët, nënat, pensionistët, studentët por gjithashtu edhe me bizneset. Në vitin 2020, faturat e papaguara i kemi gjetur për mallra dhe shërbime nga operatorët ekonomikë kanë pasur vlerën e 141 milionë euro”, u shpreh Kurti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat