Dasmë në kohë lufte, Ferat Shala publikon pamje të papublikuara më parë

Aktuale

Dasmë në kohë lufte, Ferat Shala publikon pamje të papublikuara më parë

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 14:19
Ferat Shala

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës dhe kandidati për deputet në zgjedhjet e 9 shkurtit, Ferat Shala ka publikuar pamje të dasmës së djalit të heroit Imer Krasniqi në kohë lufte.

Ai tha se më 9 maj të vitit 1998, nga fushëbeteja bashkë me bashkëluftëtarë të tjerë kishte marrë pjesë në dasmën e djalit të Imer Krasniqit nga Carralluka e Malishevës.

“Për dy javë rresht, me bashkëluftëtarët kishim fituar shumë beteja përgjatë rrugës që lidhte Prishtinën me Pejën, më saktësisht te Gryka e Llapushnikut. Atë ditë, e kishim kurorëzuar me një betejë të madhe të fituar, duke e mbyllur edhe fizikisht, me barrikada, Grykën e Llapushnikut”, ka thënë ai.

“Nga kjo fitore, shkuam me disa bashkëluftëtarë në dasmën e djalit të Imerit dhe ndamë gëzimin me ta, për dasmën dhe për fitoret në luftë, me besimin se, në këto troje, liria po vinte dhe se fitoret në luftë, si edhe dasmat në kohë aspak të lehtë, ishin mesazhi se jeta do të vazhdonte në atdheun tonë, ashtu siç e kishim ëndërruar ne dhe paraardhësit tanë, të lirë e të pavarur”, u shpreh ai.

Shala tha se sot në ditën e veteranit, i kujton të gjithë ata që luftuan për lirinë e Kosovës.

“Sot, në Ditën Veteranit tē UÇK-së, figurës emblematike të lirisë, kujtoj të gjithë ata që mposhtën frikën në momentin e kthesës për ne dhe që bashkë u ngritëm në këmbë për lirinë e Kosovës. Respekt e nderim për luftëtarët e Grykës së Llapushnikut e të fshatrave përreth për sakrificat dhe trimërinë për lirinë e Kosovës!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat