AAK i reagon ashpër Haxhiut: Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund

Aktuale

AAK i reagon ashpër Haxhiut: Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 15:16
AAK

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka reaguar ashpër ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, duke e akuzuar për ndërhyrje të papranueshme në sistemin e drejtësisë dhe për shpifje të ulëta ndaj liderit të partisë, Ramush Haradinaj.

Në reagimin e saj, AAK thekson se Ministrja Haxhiu ka qenë vazhdimisht kritike ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të Kosovës, duke e cilësuar këtë sjellje si përpjekje për të dëmtuar sistemin e drejtësisë në vend.

“Ministrja Haxhiu, sa ishte në opozitë, ishte sinonim i shkeljes së ligjit dhe sulmeve të pamatura ndaj sistemit gjyqësor. Tani, si ministre, po e çon përpara misionin e partisë së saj për të shkatërruar drejtësinë,” thuhet në reagimin e AAK-së.

AAK gjithashtu ka ngritur pyetje të drejtpërdrejta lidhur me rastin e Astrit Deharit, zhdukjen dhe gjetjen e mostrave në këtë rast, dhe për çështjen e hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvend nga anëtarët e Vetëvendosjes.

Partia ka kërkuar që Ministrja të japë sqarime edhe për skandale të tjera, përfshirë përfshirjen e të afërtve të partisë në raste si afera e miellit dhe vajit, si dhe lidhjet e përfolura të Martin Berishajt dhe Nagip Krasniqit.

“Ministrja Haxhiu, përpara se të merret me propagandë dhe shpifje, duhet të shpjegojë pse Kryeministri Kurti nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar,” shtoi AAK në reagim.

Reagimi i plotë;

Reagim ndaj shpifjeve të ulëta të Ministres Haxhiu

Veç Kosova e ka një ministre të drejtësisë që i fut hundët gjithkund. Nuk ka vend tjetër ku ministri i drejtësisë e sulmon systemin gjyqësor të shtetit të vet. Ajo, sa ishte në opozitë, ka qenë sinonim i personit që ka shkelur ligjet e vendit e s’ka lënë gjyqtar apo prokuror pa e sulmuar. Dhe prandaj është emëruar ministre e drejtësisë që misionin e partisë së vet e që është shkatërrimi i sistemit të drejtësisë, ta çojë deri në fund.

Sa merret me kopalla, ajo është mirë të japë përgjigje se çka ndodhi me rastin Dehari, si u zhduken e si u gjetën mostrat. Cka ndodhi me gjuajtjen e Kuvendit me Zollë nga bashkëpartiakët e saj.

Si u përfshinë matrapazët ordinerë në aferën e vjedhjes së miellit e vajit.

Le të merret me Martin Berishaj e Nagip Krasniqin e të mos i marrë në mbrojtje.

Më në fund ajo duhet t’i tregojë popullit të Kosovës, se pse Kryetari i Partisë së saj, sot Kryeministër, nuk i përgjigjet ftesës së Prokurorisë për t’u intervistuar, por e sfidon drejtësinë e Shtetit.  

Ka shumë përgjigje që duhet të japë kjo ministre, përpara se të merret me propagandë të nivelit të ulët.

Ramush Haradinaj ka qenë dhe mbetet hero e luftëtar kundër Serbisë e për lirinë e vendit të vet, të cilin sot e poshtërojnë njerëz si kjo minstre. Përpara se të shpifë për lidhjet e Ramush Haradinajt me Serbinë, le të merret me lidhjet e shefit të vet e me të shkuarën e tij, për të cilën kanë dalë edhe informata e që përflitet gjithandej.

AAK

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat