Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur ngushëllime për vdekjen e Shehide Selimi-Krasniqit, nëna e dy heronjve të Kosovës, Mujë e Ali Krasniqit.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se ishte për ngushëllime në Çabiq të Klinës, ku shton se çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë.
“Bijë e familjes Selimi nga Aqareva, Shehideja ia dha dy djem dëshmorë lirisë së Kosovës, Mujën dhe Aliun, duke e përlartësuar përkushtimin patriotik ndaj atdheut, përcjellë ndër breza nga familje me edukim të këtillë, si familja e bacit Halil dhe nënës Shehide”, shtoi tutje Kurti.
“Ajo vetë mbante emër me kuptimin “dëshmore”, kurse Kosovës ia rriti dy djem që ranë dëshmorë. Shehide Selimi – Krasniqi e cila vdiq dje, ishte nëna e dëshmorëve Ali dhe Mujë Krasniqi. Për nderim të nënës Shehide Selimi – Krasniqi, isha për ngushëllime në Çabiq të Klinës. Çdo nënë dëshmori, është burimi i parë i edukimit për çdo luftëtar të ardhshëm të lirisë. Kujtimet për nënën Shehide do t’iu bashkohen kujtimeve për Mujë dhe Ali Krasniqin. Ngushëllime familjeve Selimi dhe Krasniqi, nderime dhe mirënjohje për nënën Shehide”, ka shkruar shefi i qeverisë në Facebook.