Kurti: I gatshëm të dëshmoj, por le të vijnë në Kryeministri

Aktuale

Kurti: I gatshëm të dëshmoj, por le të vijnë në Kryeministri

Më: 30 dhjetor 2024 Në ora: 22:56
Albin Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se është i gatshëm të dëshmojë në rastin për të cilin është ftuar nga Prokuroria Speciale, por ka kërkuar që dëshmia të realizohet në ambientet e Kryeministrisë.

Kurti theksoi se kërkesa për të mos shkuar në Prokurori lidhet me agjendën e tij të ngjeshur dhe për të shmangur, siç e quajti ai, manipulimin e perceptimit publik nga prokurorët dhe disa media.

“Unë nuk po dëshirojë që ata të vijnë, unë po ju tregoj që nuk shkojë. Nuk shkojë sepse e kam shumë të qartë planin e tyre. Ata po dëshirojnë që ta prodhojnë një xhirim të shkurtër, ose një fotografi kryeministri më i pa korruptuar në Ballkan duke hyrë në ndërtesën e Prokurorisë Speciale për një rast korrupsioni. Kush nuk merret a je dëshmitar a i pandehur edhe mua tash po më trajtojnë si i pandehur nuk e di a e ke vërejtur”, tha Kurti.

“Këtu lë të vijnë. Këshilltarja ime juridike ua ka dërguar opsionet”, ka shtuar Kurti.

Në një intervistë për RTK, Kurti kritikoi ashpër Këshillin Prokurorial të Kosovës, duke e cilësuar atë si një strukturë të centralizuar dhe të dominuar nga interesa të ngushta.

Ai vuri në pikëpyetje emërimin e Blerim Isufajt si kryeprokuror, duke e konsideruar të papranueshëm për shkak të vendimeve të kaluara të diskutueshme, përfshirë heqjen e një urdhër-arresti ndaj Milan Radojiçiqit.

Kryeministri bëri thirrje për reformimin e Këshillit Prokurorial dhe hapjen e mundësive për profesionistë të rinj.

“Shikoni 200 prokurorë i ka Kosova, 120 prej tyre i kanë më shumë se tetë vjet përvojë pune. Këshilli Prokurorial si klikë po thotë ose ky, ose as njëri. As zonja presidentja Osmani, as kryeparlamentari Glauk Konjufca, as unë si kryeministër nuk jemi dakord me këtë person. Ne jemi subjekti që ka numrin më të madh të votave në pluralizmin politik në historinë e Kosovës . Kur tre liderët kryesorë shtetërorë nuk janë dakord që ky person të bëhet kryeprokuror, pse ai insiston. Kush po na e mbështetë këtu. Edhe unë nuk kam se si ta kuptojë kështu, përveçse me atë çka ka ndodhur para një viti kur publikisht e pranoi që ja ka hequr urdhër-arrestin Millan Radojiçit” përfundoi Kurti.

Ai ritheksoi gatishmërinë për të dëshmuar, por vetëm nëse Prokuroria pranon të zhvillojë takimin në Kryeministri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat