KEDS angazhon 1000 punëtorë që konsumatorët të festojnë me drita

Aktuale

KEDS angazhon 1000 punëtorë që konsumatorët të festojnë me drita

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 11:49
Foto ilustrim

KEDS njofton konsumatorët se janë bërë të gjitha parapërgatitjet e duhura për festat e fundvitit.

Me anë të një kumtese për media bëhet e ditur se për festat e fundvitit, KEDS ka angazhuar rreth 1000 punëtorë, të cilët do të jenë në dispozicion që konsumatorët të kremtojnë me drita.

Përveç kësaj, theksohet se janë angazhuar edhe makineri të mjaftueshme si mbështetje logjistike të punëtorëve në mënyrë që intervenimi, në rast nevoje, të jetë sa më i shpejtë dhe efektiv. Po ashtu, do të jenë në dispozicion 135 makineri e automjete, prej tyre: 68 vetura, 31 platforma, 16 makineri të rënda, 16 bagerë dhe 4 automjete për detektimin e kabllove.

Aktualisht, sfidë vazhdon të mbetet rajoni i Ferizajt, Gjakovës, Rahovecit, Prizrenit dhe Gjilanit, si pasojë e mbingarkesave të shkaktuara. Në Malishevë, si rezultat i implementimit të super-përçuesit nga KEDS-i, kapacitetet janë dyfishuar dhe situata po qëndron më mirë krahasuar me vitet e kaluara, thuhet në njoftim të KEDS-it.

Tutje, kjo kompani u bën thirrje të gjithë konsumatorëve që të kursejnë energjinë elektrike kudo që është e mundur.

“Kujdes të shtuar të kihet me ngrohjen me energji elektrike. Ftojmë konsumatorët që nëse kanë alternativa të tjera për ngrohje, t’i përdorin ato. Çdo përpjekje për kursim kontribuon në lehtësimin e ngarkesës dhe në përmirësimin e situatës për të gjithë. Falënderojmë konsumatorët për mirëkuptimin dhe mbështetjen e tyre gjatë këtyre sfidave”, thuhet në njoftim të KEDS-it.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat