Prezantohen të arriturat e Policisë gjatë 2024: Sfidë veriu, veprat penale shënuar rënie 3.34%

Aktuale

Prezantohen të arriturat e Policisë gjatë 2024: Sfidë veriu, veprat penale shënuar rënie 3.34%

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 12:20
Foto ilustrim

Policia e Republikës së Kosovës paraqet disa nga rezultatet dhe arritjet e përgjithshme në përmbushjen e objektivave strategjike, specifike por edhe të aktiviteteve të parapara për këtë periudhë kohore, mesi i dhjetorit të vitit 2024.

Sipas Policisë, numri i përgjithshëm i rasteve ka shënuar rëne nga 47903 në 46300 ose -3.34%. Kurse, numri i veprave penale ka shënuar rëne nga 27560 në 26775 ose -2.38%. Ndërsa, zbulueshmëria ka shënuar rritje për 3.34%;

“Edhe pse viti që po lëmë pas ishte mjaft sfidues për Policinë e Kosovës sa i përket sigurisë në përgjithësi, e në veçanti në veri të vendit, puna angazhimi dhe përkushtimi për ruajtje të rendit kushtetues, vërtetuan se Policia e Kosovës është e gatshme dhe e përgatitur për t’u përballur me të gjitha rreziqet dhe kërcënimet ndaj rendit publik dhe sigurisë së vendit në përgjithësi. Ndër objektivat dhe detyrat kryesore të PK-së, kanë qenë zbatimi i ligjit në mënyrë efikase dhe efektive, parandalimi dhe luftimi i të gjitha formave të kriminalitetit, mbikëqyrja dhe kontrolli i kufirit shtetëror, bashkëpunimi ndërkombëtar në fushën e zbatimit të ligjit si dhe ofrimi i shërbimeve për qytetarët pa dallim. Siguria e përgjithshme në Kosovë edhe gjatë kësaj periudhe kohore të këtij viti ka qenë e qetë, në përjashtim në veri të vendit, ku situata ka qenë e brishtë dhe e cenuar nga disa sulme kriminale e terroriste, duke veçuar sulmin terrorist ndaj Stacionit Policor në Zveqan, sulmin terrorist në objektin e Komunës së Zveqanit, sulmin terrorist ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Iber Lepencit në Zubin Potok, si dhe konfiskimin e një sasie të konsiderueshme të armatimit, municionit e pajisjeve të ndryshme ushtarake. Rastet dhe Sulmet e tilla kriminale e terroriste në veri të vendit kishin për qëllim cenimin e rendit dhe sigurinë publike si dhe pengimin e zbatimin të ligjit në mënyrë të drejtë dhe të barabartë për të gjithë qytetarët, mirëpo Policia e Kosovës me vendosmërinë e sajë ka arritur të menaxhojë situatën në mënyrën më profesionale të mundshme”, thuhet në njoftim.

Policia e Kosovës përveç të arriturave të mëdha në menaxhimin e situatës së sigurisë në vend e në veçanti në veri të vendit e cila vazhdon të jetë një ndër sfidat kryesore, ka arritur rezultate të theksuara edhe në shumë fusha tjera, përfshirë edhe uljen e rasteve kriminale në vend dhe rritjen e zbulueshmërisë së tyre.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat