Korporata Energjetike e Kosovës dhe Policia e Kosovës kanë nënshkruar sot një marrëveshje të rëndësishme për ofrimin e shërbimeve me qëllim të përmirësimit të nivelit të sigurisë në dhe për rreth objekteve të KEK-ut.
Departamenti për Marrëdhënie me Publikun dhe Komunitete të KEK-ut ka njoftuar se këto objekte kanë rëndësi të veçantë dhe janë të lidhura ngushtë me interesin nacional.
“Marrëveshja thekson nevojën për rritjen e masave të sigurisë, duke marrë parasysh natyrën e këtyre objekteve, të cilat kanë rrezikshmëri të lartë. Vlen të theksohet se KEK ka qenë objekt i sulmeve të shumëfishta nga individë dhe grupe të jashtme, të cilët, përveç shkatërrimit të materialeve, kanë dëmtuar rëndë pajisjet e korporatës. Me këtë marrëveshje, KEK dhe Policia e Kosovës synojnë të forcojnë bashkëpunimin dhe të rrisin sigurinë, duke garantuar vazhdimësinë e furnizimit me energji dhe ruajtjen e pasurisë strategjike të Kosovës”, thuhet në njoftim.
Ky hap i rëndësishëm sipas KEK-ut është pjesë e angazhimeve të përbashkëta për sigurimin e objekteve kritike dhe përparimin e rendit dhe sigurisë në sektorin energjetik.