Kurti takon Tërnavën, flasin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Aktuale

Kurti takon Tërnavën, flasin për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore

Më: 31 dhjetor 2024 Në ora: 13:34
Foto nga vendi i ngjarjes

Në ditën e fundit të vitit 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti bashkë me ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku dhe ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu vizitoi gjatë ditës Bashkësinë Islame të Kosovës (BIK), ku dhe u pritën nga kryetari i saj, myftiu Naim Tërnava.

Sipas njoftimit nga Qeveria, në takim u diskutua për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë dhe BIK-ut, si ndërmjet Ministrisë së Drejtësisë me Departamentin e Gruas në BIK, ashtu edhe në mbrojtjen e trashëgimisë kulturore islame përmes Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe BIK-ut. 

“Ruajtja e trashëgimisë islame në Kosovë ka qenë prioritet i gjatë qeverisjes. Shumë xhami të Kosovës sot janë në gjendje më të mirë dhe u shërbejnë besimtarëve e vizitorëve, si rezultat i restaurimeve profesionale, në këto më pak se katër vjet.

Vetëm këtë vit janë hartuar projektet e restaurimit për pesë xhami, teksa në buxhetin e viteve 2025-2027, vetëm për 6 xhami janë ndarë 4.22 milionë euro”, thuhet në njoftim.

Tutje u tha se kryeministri Kurti e falënderoi myftiun Tërnava dhe Bashkësinë Islame të Kosovës për kontributin e tyre të çmueshëm, bashkëpunimin e vazhdueshëm dhe për gatishmërinë që ai të vazhdojë e të thellohet në vitet në vijim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat